Sunday, January 29, 2023

Iran: Inflacioni Rritet Mbi 50 Përqind

 

Shkruar nga Hamideh Taati më 25 prill 2019.

Nga Hamideh Taati

Viti i Ri iranian, që u festua në fund të marsit, duhej të kishte qenë një kohë e gëzuar për popullin e Iranit. Një kohë kur ata të mund të shihnin përpara një të ardhme më të begate e pozitive. Nuk ka dyshim që populli do të bëhet përsëri i begatë, por festimet e Nowruz-it këtë vit u errësuan nga përmbytjet e përhapura në gjithë vendin.

Përveç se u është dashur të përballen me pasojat shkatërrimtare të përmbytjeve, njerëzit janë detyruar të përballen gjithashtu me paaftësinë e regjimit në menaxhimin e situatës së mëvonshme. Në vend që të ndihmonte njerëzit dhe të merrte masa parandaluese për të mos lejuar përhapjen e përmbytjeve, regjimi ose e ka shpërfillur situatën, ose e ka shfrytëzuar rastin për t’ia kaluar fajin dikujt tjetër.

Dhe tani është bërë e qartë që kriza ekonomike po vazhdon pa dhënë shenja ngadalësimi. Gjatë muajit të parë të këtij viti të ri në Iran, nga 21 marsi deri më 20 prill, inflacioni ka arritur në 51.4 përqind. Kjo përbën një rritje prej më shumë se 50 përqind që nga e njëjta periudhë vitin e shkuar.

Kjo rritje kaq e madhe në inflacion ka rezultuar në një rritje masive të çmimeve. Çmimet e ushqimeve, duhanit dhe pijeve janë tani 85.3 përqind më të larta se ç’ishin 12 muaj më parë.

Monedha kombëtare e vendit – riali – ka humbur kaq shumë vlerë gjatë viteve dhe kursimet e njerëzve janë pakësuar dita ditës ndërkohë që ata mezi i përballojnë çmimet gjithnjë e më të larta të nevojave bazë.

Rënia më e madhe në vlerën e rialit ndodhi vitin e shkuar kur Presidenti amerikan Donald Trump shpalli se do t’i tërhiqte Shtetet e Bashkuara nga Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA). Në fillim të 2018-ës, me një dollar të vetëm amerikan mund të kishe blerë afërsisht 40,000 rial. Kursi i këmbimit në tregun jo-qeveritar është tani rreth 140,000 rial.

E gjithë kjo është shkaktuar nga sanksionet e forta ekonomike mbi Iranin. Edhe pse populli i Iranit është ndikuar përsëri negativisht nga presioni mbi regjimin iranian, kjo është një gjë e nevojshme dhe një gjë që njerëzit e mirëpresin. Ata e dinë se asgjë nuk do të ndryshojë ndonjëherë nëse nuk ushtrohet presion i madh ndërkombëtar mbi regjimin. Dhe ndryshimi është gjëja që njerëzit duan vërtetë.