Më 22 nëntor 2018, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, shpalli planin e Shteteve të Bashkuara për të mbajtur një konferencë më 13 dhe 14 shkurt në Poloni; në të cilën do të diskutohen çështje të rëndësishme të Lindjes së Mesme, veçanërisht ndikimi i Iranit në rajon.
Shumë shpejt, ky lajm u përhap në të gjitha mediat kryesore të Iranit.
Qëllimi kryesor i kësaj konference është kundërvënia ndaj terrorizmit dhe luftënxitjes së regjimit të mullahëve të Iranit.
Në fjalët e Pompeos: “kundërvënia ndaj terrorizmit të Iranit, i cili është një nga kërcënimet më të mëdha në rajon, është me rëndësi të veçantë për presidentin e Shteteve të Bashkuara. Jemi të vendosur të bashkohemi me shumë vende dhe të krijojmë një koalicion global në konferencën e Varshavës. Duam t’ia vërtetojmë botës se sa të vendosur jemi për eliminimin e terrorizmit dhe përmirësimin e jetëve”.
Qëndrimi i Iranit lidhur me këtë konferencë
Përveç Khamenei-t, Rouhani-t, Ali Larijani-t (kryetar i parlamentit) dhe Sadegh Larijani-t, pothuajse të gjithë parlamentarët kanë marrë një pozicion kundër kësaj konference të ardhshme. Për shembull, Shamkhani (Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare) ka komentuar se: “kur i sheh Shtetet e Bashkuara që kalojnë nga sanksionet e rënda në konferenca globale, e kupton qartë se e kanë humbur betejën”. (12 janar 2019).
Në të njëjtën ditë, Zarif e quajti këtë konferencë si asgjë tjetër veçse një “cirk i dëshpëruar”.
Shumë nga zyrtarët e kanë konsideruar rolin e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI) në këtë konferencë, si të konsiderueshëm. Për shembull, Alaeddin Boroujerdi (një anëtar i parlamentit në Komitetin e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë Kombëtare) i ka quajtur ata si “një pjesë në lojën e Shteteve të Bashkuara”. (15 janar 2019). Ai ka thënë gjithashtu se konferenca e ardhshme në Varshavë tregon se sa këmbëngulës janë amerikanët në ndjenjat e tyre “anti-Iran”.
Ali Khoram, një politikan reformist dhe ish-këshilltar në Ministrinë e Jashtme të Iranit, ka folur gjithashtu për këtë çështje, duke nënkuptuar se “nëse konferenca bëhet, do të trajtohet si një rregull ndërkombëtar i pashkruar sipas të cilit vendet e tjera munden gjithashtu t’i kundërvihen Iranit”.
Naghavi Hosseini, një politikan konservator, ka parashikuar se Rusia nuk do të marrë pjesë në konferencë, jo vetëm për shkak të lidhjes së saj me Republikën Islamike të Iranit, por gjithashtu për shkak të dijenisë që ka për komplotet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit.
Ku qëndrojnë Rusia dhe vendet e tjera europiane në lidhje me këtë çështje
Më 21 janar, Mogherini e bëri të qartë se për shkak të udhëtimit të saj të ardhshëm në Samitin e Unionit Afrikan, nuk do të ketë mundësi të marrë pjesë në konferencën e Varshavës.
Për sa i përket Rusisë, besohet se është ftuar në konferencën e Varshavës, por e ka refuzuar ftesën.
Franca ka shpallur gjithashtu se diplomatët e saj të lartë nuk do të marrin pjesë në konferencë (gjë që do të thotë se mund të ketë disa zyrtarë francezë që do të marrin pjesë, por në një nivel më të ulët).
Gjermania dhe Anglia nuk e kanë konfirmuar ende pjesëmarrjen e tyre.
Veprimet e regjimit iranian deri tani
Më 13 janar 2019, ministria e jashtme e regjimit thirri një diplomat të lartë polak për të protestuar ndaj bashkëpunimit të Polonisë në organizimin e këtij samiti “anti-Iran”.
Në vijim të kësaj, ambasadori iranian në Poloni u takua me Zëvendës Ministrin e Jashtëm të Polonisë, për të ndarë “shqetësimet e Iranit lidhur me diskutimin e ardhshëm për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme”.
Më 14 janar 2019, Ministria e Jashtme polake u përgjigj: “Sipas opinionit tonë, çdo shtet ka të drejtë të diskutojë tema të ndryshme rajonale dhe globale, dhe ne kemi të drejtë ta zhvillojmë këtë konferencë, e cila ka për qëllim të krijojë stabilitet në Lindjen e Mesme”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit ktheu gjithashtu përgjigje, duke thënë se Polonia nuk ka të drejtë ta zhvillojë këtë konferencë, pasi ajo fyen një qeveri të pavarur (d.m.th. Iranin).
Në fund, Ministri i Jashtëm i Polonisë tha se nuk do ta ftojë Iranin të marrë pjesë në këtë konferencë pasi prania e tij mund ta pengojë debatin. (21 janar 2019)
Qëndrimi i ekspertëve iranianë lidhur me këtë çështje
I ashtu-quajturi krah i djathtë vazhdon të mos e përfillë rëndësinë e konferencës së Varshavës; për shembull, Mehdi Mohammadi (një ish-deputet) tha në televizion: “nuk jemi as të bindur që kjo konferencë ekziston me të vërtetë. Duket më shumë si luftë psikologjike”.
Ai shtoi se qëllimi kryesor i kësaj konference është të krijojë një përçarje mes vendeve europiane dhe të shkaktojë konflikt në rajonet lindore dhe perëndimore. Kjo gjë do të ketë shumë pasoja negative, sidomos në konferencën e ardhshme të Gjermanisë në Mynih.
Një tjetër politikan ka thënë se pjesëmarrja e mbi 70 shteteve në këtë konferencë mund të ketë një impakt të konsiderueshëm në perspektivën e botës ndaj Iranit. SHBA po përpiqet t’i influencojë këto vende përmes Arabisë Saudite, Izraelit, dhe Emirateve; dhe është e qartë që regjimit i mungon fuqia për t’u përballur me të gjithë.
I ashtu-quajturi krah i majtë e pranon se konferenca duhet të merret seriozisht; Ali Khoram thotë: “konferenca për të cilën kanë folur ekstremistët si Mike Pompeo dhe John Bolton, do të ketë për qëllim ta informojë botën për lëvizjet armiqësore që SHBA po planifikon kundër nesh”.