Thursday, February 9, 2023

Franca ngrin asetet iraniane pas sulmit mbi grupin Shia

Sulmi mbi Centre Zahra France në Grande Synthe, afër Dunkirk, mëngjesin e së martës AFP

Autoritetet franceze kanë ngrirë asetet e ministrisë iraniane të sigurisë dhe inteligjencës dhe të dy personave iranianë, njëri prej të cilëve akuzohet për përfshirje në një komplot me bombë në qershor.

Policia sulmoi një organizatë myslimane Shia të martën në mëngjes, siç duket mbi bazën se kjo organizatë mbështet grupet e përkrahura nga Irani, Hezbollah dhe Hamas.

Dekreti që shpall ngrirjet e aseteve, i publikuar në gazetën e qeverisë, ka identifikuar njërin nga personat si Assadollah Asadi, i njëjti emër me atë të një diplomati iranian i cili është arrestuar me akuzën e përfshirjes në një komplot të dyshuar për të bombarduar një grup opozitar iranian në Francë këtë verë.

Një gjykatë gjermane, të hënën, dha urdhër për ekstradimin e Asadi-t në Belgjikë, ku ai akuzohet se ka qenë organizatori i komplotit të dyshuar kundër konferencës së përvitshme të Muxhahedinëve të Popullit (MEK).

Shërbimi izraelit i inteligjencës, Mossad, i ka dhënë Gjermanisë, Francës dhe Belgjikës informata thelbësore rreth këtij komploti të dyshuar, sipas gazetës Haaretz.

Tre të arrestuar pas sulmit mbi grupin Shia

Një dekret tjetër ka ngrirë asetet e një grupi mysliman Shia me bazë në Francën veriore, për gjashtë muaj, së bashku me asetet e tre organizatave të tjera me bazë në zyrat e këtij grupi.

Rreth 200 policë të martën arrestuan 11 njerëz të lidhur me Centre Zahra France, i cili raportohet të jetë një nga qendrat më të mëdha Shia në Europë, si dhe sulmuan godinat e tyre, duke konfiskuar armë e pajisje, sipas burimeve.

Tre persona u arrestuan më vonë gjatë paradites, me akuzën kryesore të zotërimit të jashtëligjshëm të armëve, sipas burimeve të policisë.

Centre Zahra France, Partia Anti-Zioniste, Federata Shia e Francës dhe France Marianne Télé, janë duke u hetuar për lejimin e terrorizmit për shkak se dyshohet se mbështesin organizata si militantët Hezbollah të Libanit dhe lëvizja Islamiste Palestineze Hamas, të dyja këto, organizata që marrin përkrahje nga Irani dhe të etiketuara si “terroriste” nga Izraeli, BE dhe SHBA.

Një deklaratë zyrtare akuzoi udhëheqësit e qendrës për “mbështetjen e theksuar të liderëve të saj për disa organizata terroriste dhe në favor të lëvizjeve që përkrahin ide në kundërshim me vlerat e republikës”.

Sulmet u kryen sipas udhëzimeve të ligjit të ashpër anti-terror të miratuar nga parlamenti francez në tetor të vitit të shkuar.

Vihen në rrezik përpjekjet për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore

Franca u tha diplomatëve të saj dhe zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme në gusht që t’i shtynin pa afat të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme për në Iran, për shkak të komplotit të dyshuar me bombë, sipas një mesazhi të brendshëm të parë nga agjensia e lajmeve Reuters.

Një grindje diplomatike për shkak të arrestimeve mund t’i dëmtojë përpjekjet europiane për të shpëtuar paktin bërthamor me Iranin, në vijim të shpalljes nga Presidenti Donald Trump në maj se SHBA do të tërhiqej nga pakti.