Wednesday, February 1, 2023

Facebook dhe Twitter Mbyllin Llogaritë e Lidhura me Fushatën Iraniane të Keqinformimit

Nga Shahriar Kia

Gjigantët e medias sociale, Twitter dhe Facebook, shpallën të enjten se janë duke mbyllur mijëra llogari dhe faqe të lidhura me fushatat e keqinformimit me origjinë nga Irani, si dhe dy vende të tjera, dhe që kanë patur në shënjestër shtete në mbarë botën.

Twitter shkroi në një blog se kishte mbyllur 2,617 “llogari keqdashëse” nga Irani, ndërsa Facebook tha se kishte pezulluar 783 faqe e llogari iraniane me qindra mijëra pëlqime, për “sjellje jo-autentike të koordinuar” nëpër Facebook dhe Instagram.

Të dyja platformat vunë në dukje se një pjesë e përmbajtjes së këtyre llogarive iraniane, sidomos lidhur me tematika si roli i SHBA-së në konfliktet e Lindjes së Mesme, si Siria dhe Jemeni, si dhe në marrëdhëniet Izrael-Palestinë, bazohej në tema të ricikluara nga media shtetërore e regjimit iranian. (Një faqe në gjuhën angleze kishte postuar madje një video ku pretendohej se sulmet terroriste të 11 shtatorit kanë qenë të organizuara nga SHBA, pavarësisht faktit që Irani i ka strehuar terroristët e Al Qaeda-s të cilët kanë organizuar sulmin.) Një pjesë e kësaj veprimtarie datonte që në 2010-ën.

Nathaniel Gleicher, i cili drejton sigurinë kibernetike në Facebook, tha: “Sa herë që ka komunitete ku zhvillohet një bisedim i fortë, ku njerëzit grumbullohen, do të shohësh aktorë që e marrin në shënjestër atë debat publik.”

Twitter tha gjithashtu se kjo fushatë dukej si pjesë e një përpjekjeje për të ndikuar në zgjedhjet amerikane të 2018-ës përmes ushqyerjes së trazirave rreth çështjeve të nxehta dhe për t’i bindur amerikanët që të mos votojnë; gjë që është parë për herë të fundit gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës.

Facebook tha se veprimtaria në faqet e tij ka patur në shënjestër kryesisht Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore, por ka prekur edhe vende në Amerikën e Veriut, Afrikë, dhe Europë, duke përfshirë SHBA-në, Meksikën, Egjiptin, Sudanin, Francën, dhe Gjermaninë. Ndërsa Twitter tha se rreth një e treta e llogarive që ka mbyllur përdornin gjuhën angleze.

Facebook shpjegoi se kishte njoftuar përgjegjësit për zbatimin e ligjit, politikanë dhe zyrtarë në shtetet e prekura në lidhje me këto gjetje.

Facebook dhe Twitter thanë se janë duke u koordinuar me njëri-tjetrin dhe me mediat e tjera sociale për ta çrrënjosur këtë veprimtari keqdashëse. Dhe vërtet, Facebook u njoftua për herë të parë për këtë problem kur Twitter ia solli në vëmendje.

Kjo vjen në të njëjtën kohë me rritjen e kujdesit global të përgjigjes së firmave të mediave sociale ndaj përhapjes së keqinformimit në faqet e tyre. Një gjë është e qartë; ky kërcënim nuk do të largohet dhe kompanitë e mediave sociale duhet të gjejnë mënyra më të mira për t’iu kundërvënë atij.

Në gusht, Facebook mbylli 652 faqe, llogari dhe grupe të lidhura me një fushatë iraniane të influencës.