Burgu Evin i Iranit është përshkruar si një “katakomb” e një “birucë ferri” që nuk plotëson as kriteret bazë për shëndetin e sigurinë e të burgosurve, as duke marrë parasysh standartet e Regjimit, raporton Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK).
Një i burgosur ka shkruar për kushtet e tmerrshme në të cilat vuajnë të burgosurit iranianë; kushte që nuk do të donim t’i kishin as kafshët.
I burgosuri shpjegon se në burgun Evin, 20-25 të burgosur ndajnë një qeli të vetme, duke e tejkaluar kapacitetin e saj, me shumë vetë që detyrohen të flenë në dysheme.
Ushqimi është gjithashtu i një cilësie shumë të dobët, pa perime apo proteina për t’i mbajtur të shëndetshëm. Të burgosurve u shërbehet përditë oriz gjysmë i zier dhe sojë që bëhet për bagëti. Rregullat e burgut thonë se me çdo vakt duhet të jepet një copë e plotë bukë, por aktualisht, vetëm një copë e gjysëm buke e cilësisë së ulët shërbehet për të gjithë ditën.
Sigurisht, të burgosurit mund të blejnë më shumë ushqim të cilësisë së ulët (d.m.th. fruta, perime) në dyqanin e burgut, por këto janë në sasi shumë të kufizuar dhe artikujt e freskët vijnë vetëm një herë në tre javë, kështu që shpesh mbarohen shpejt. Për më tepër, çmimet e burgut janë tepër të larta, të paktën 20% më të larta se në një dyqan normal, kështu që shumë të burgosur nuk i përballojnë dot.
Një tjetër arsye pse të burgosurit e kanë të vështirë ta përballojnë ushqimin bazë, i cili duhet t’u ofrohet gjithsesi, është se ata shpesh detyrohen të paguajnë për artikuj sanitarë, si qese mbeturinash, të cilat u nevojiten për t’i mbajtur qelitë të pastra.
I burgosuri shkruan: “Çdo i burgosur që nuk ka mundësi ta përballojë këtë duhet të bëjë punë/shërbime për burgun, si grumbullimi i mbeturinave [apo] pastrimi i ambjenteve të ndryshme.”
Të burgosurit privohen gjithashtu nga mjetet higjenike që u duhen për veten, si pastë dhëmbësh, shampo, peshqirë, brisqe, dhe furça dhëmbësh. Burgu nuk ofron më pastë dhëmbësh, furça dhëmbësh apo peshqirë, ndërsa ofrimi i mjeteve të tjera është përgjysmuar. Shampot, për shembull, ofrohen tashmë vetëm një herë në dy muaj.
Tani, me kushtet e këqija të ushqimit dhe higjenës në të cilat detyrohen të jetojnë të burgosurit, kuptohet që shumë prej tyre sëmuren. Më e keqja është se kujdesi mjekësor, madje edhe kujdesi i kufizuar për një gjë si të ftohurit, është praktikisht jo-ekzistent.
Doktorët vizitojnë vetëm një sasi të kufizuar pacientësh në ditë, afërsisht 5 për 200 të burgosur, dhe edhe nëse arrin të vizitohesh, burgu nuk ofron ilaçe. Për këto detyrohet të paguajë familja e pacientit, por i burgosuri duhet së pari të paguajë një shumë të madhe në mënyrë që të mund t’i telefonojë familjes për t’i kërkuar para.
I burgosuri shkruan: “Në godinën 8, ku mbahen 800 të burgosur, ka 40 telefona që janë të hapur vetëm 12 orë në ditë. Çdo i burgosur lejohet zyrtarisht të bëjë një telefonatë që zgjat vetëm gjysmë ore. Megjithatë, një e treta e kësaj kohe ikën duke futur kodet e ndryshme që duhen për të hapur linjat. Një problem tjetër është se zyrtarët e burgut marrin ryshfete nga disa të burgosur, kështu që nuk e ndajnë kohën barabar për të gjithë. Kjo ka rezultuar në grindje dhe përleshje mes të burgosurve të rëndomtë.”
Irani nuk do t’ia dijë për të burgosurit apo për popullin e tij – në fund të fundit, ai është dënuar nga Kombet e Bashkuara 65 herë për shkelje të të drejtave njerëzore – dhe për këtë arsye burgjet mbahen për të fituar para. Për të mos folur pastaj për torturën dhe ekzekutimet që bëhen brenda këtyre mureve.