Saturday, January 28, 2023

Etiketimi i IRGC-së e Çon Regjimin Iranian në Rënie të Lirë

 

Shkruar nga Shahriar Kia më 25 prill 2019.

Nga Shahriar Kia

Kur SHBA e etiketoi Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) si Organizatë të Huaj Terroriste (FTO) javën e shkuar, kjo ishte një ngjarje tepër e rëndësishme për Regjimin Iranian dhe tani grupimet e ndryshme të Regjimit kanë një kënd të ri nga i cili të shqyrtojnë çështjet ndërkombëtare, si Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) dhe Task Forca e Veprimit Financiar (FATF).

Tani debatet mbi këto tema kanë arritur një nivel të ri.

Heshmatollah Falahatpisheh, kreu i komitetit të sigurisë në Parlament, kritikoi përqasjen e BE-së ndaj projektligjeve të FATF, të cilat është kërkuar që Irani t’i ratifikojë, duke u ankuar se vendet europiane ofrojnë “gjeste shpresëdhënëse” e jo “rezultate të prekshme”, por nuk e kuptonte se si Irani mund të shpëtonte nga sanksionet pa ndihmën e Europës.

Më herët këtë muaj, ambasadori francez në SHBA foli rreth nje kompromisi të mundshëm mes BE-së dhe SHBA-së lidhur me JCPOA-në, kompromis i cili mund të përfshijë shtimin e programit të raketave të Iranit dhe ndërhyrjet e tij në rajon. Kjo gjë solli komente të pritshme por naive nga Irani dhe zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Iranit, Abbas Mousavi, tha se ky dialog është i projektuar vetëm për ta rritur presionin mbi Regjimin Iranian.

Kjo gjë nxiti gjithashtu edhe grindje të brendshme mes grupimeve, të cilat janë shndërruar në krizën e re që kërcënon të ardhmen e regjimit.

Ndërkohë, mullahët janë gjithashtu tepër të frikësuar nga etiketimi terrorist i IRGC-së, dhe deputeti Mahmoud Sadeghi vuri në dukje se kjo, së bashku me mungesën e ndihmës nga Europa, do të thotë se Irani nuk fiton gjë duke qëndruar në JCPOA. Ndërsa deputeti Abtahi tha se JCPOA është qartësisht e metë pasi e lejon SHBA-në të ankohet për sjelljen e Iranit, megjithatë nuk tha se SHBA nuk do të kishte mundësi të ankohej nëse Irani do ta kishte zbatuar paktin.

Megjithatë, Abdorreza Faraji-rad, ish-ambasadori iranian në Norvegji, tha se Regjimi duhet të vazhdojë të mbahet tek JCPOA sido që të shkojnë punët.

Ai tha: “Nuk duhet të veprojmë në mënyrë të tillë që as Moska e Pekini të mos kenë interes të na mbështesin. JCPOA e ka ndarë tani fushën midis BE-së, Rusisë, dhe Kinës nga njëra anë, dhe Arabisë Saudite, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara nga ana tjetër, dhe është në interesin tonë ta shohim nga ky kënd. Dhe pavarësisht mungesës së përfitimeve ekonomike nga JCPOA, duhet ta kuptojmë se dalja nga JCPOA nuk është e këshillueshme për ne. Kështu që duhet të qëndrojmë në JCPOA sa më gjatë të jetë e mundur.”

Etiketimi terrorist i IRGC-së i ka dhënë një goditje Regjimit dhe tani mullahët po sillen vërdallë, pa ditur se çfarë duhet të bëjnë.