Nga Shahriar Kia
Në vijim të një sulmi terrorist nga regjimi iranian të enjten mbi dy cisterna nafte në Gjirin e Omanit, kreu i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres paralajmëroi se bota nuk mund ta përballojë një konfrontim madhor në Gjirin Persik dhe se të gjitha sulmet mbi anijet civile duhet të dënohen, teksa Këshilli i Sigurisë përgatitej për t’u takuar pas dyerve të mbyllura për të diskutuar mbi sulmin.
Ky është sulmi i dytë mbi anije civile në rajon brenda një muaji, dhe SHBA ka përmendur sërish prova që tregojnë se regjimi iranian ka qenë i përfshirë.
Sipas sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, Donald Trump është informuar për sulmin dhe “qeveria e SHBA-së po ofron ndihmë dhe do të vazhdojë ta vlerësojë situatën”. Zyrtarë të tjerë amerikanë, përfshirë Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe Ambasadorin në detyrë tek OKB, Jonathon Cohen, e kanë dënuar fuqishëm Iranin për këto sulme. Flota Amerikane ka publikuar madje një video ku tregohet, sipas tyre, Flota Iraniane që heq një minë të pashpërthyer nga ana e njërës prej cisternave të sulmuara.
Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Arabe, Ahmed Aboul Gheit, tha se sulmet mbi cisternat e naftës dhe ato kundër Arabisë Saudite janë “zhvillime të rrezikshme” të kryera nga ata që duan të krijojnë kaos në rajon.
Regjimi është zotuar se do ta mbyllë Ngushticën strategjike të Hormuzit, përmes së cilës kalon një e pesta e konsumit global të naftës, por SHBA është betuar se do ta mbajë hapur.
Në fakt, çmimet e naftës krudo u rritën me 4% dje dhe Kuvaiti i ka vënë në objektet e tij të naftës në gjendje gatishmërie të lartë, ndërkohë që ministri i jashtëm i tij i ka thënë Këshillit të Sigurisë të OKB-së se sulmet janë kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Ndërkohë, ministrat e jashtëm francezë e gjermanë kanë bërë thirrje për mos-përshkallëzimin e tensioneve në rajonin e Gjirit Persik.