Njëmbëdhjetë muaj pas vrasjes së një nuseje fëmijë nga burri i saj klerik në Lorestan në Iranin perëndimor, e përditshmja shtetërore Shargh tha se kleriku është i lirë ndërsa gazetari që ekspozoi rolin e klerikut në vrasje është dënuar me burg.
Sipas raportit të 31 korrikut, avokati i gazetarit që zbuloi vrasjen, Ali Mojtahedzadeh tha se Sina Qalandari u dënua me 13 muaj e 16 ditë burg për “publikimin e fotografive private të viktimës” dhe 13 muaj e 16 ditë të tjera burg për “publikim të gënjeshtrave”. Ai gjithashtu u dënua me dy vjet ndalim të gazetarisë dhe mbylljen e kanalit të tij Telegram.
- Qalandari është një reporter lokal në Lorestan, i cili publikoi një raport mbi vrasjen për nder të 16-vjeçares Mobina Souri nga bashkëshorti i saj klerik dhe anëtarët e familjes gushtin e kaluar. Ai u arrestua disa ditë pas publikimit të raportit pas ankesave të familjes së viktimës dhe të dyshuarve dhe u lirua me kusht 11 ditë më vonë.
Mojtahedzadeh tha se vrasësi “mori një dënim 2-3-vjeçar burgim disa muaj pas vrasjes dhe tani po bredh i lirë me kusht dhe vazhdon jetën e tij”.
Sipas z. Mojtahedzadeh, gjykata nuk i ka kushtuar rëndësi “pëlqimit të familjes së viktimës” në dhënien e vendimit për rastin e vrasjes së Mobina Sourit.
Avokati kritikoi “qasjen fisnore” ndaj çështjes së vrasjes së Mobina Sourit dhe rasteve të ngjashme në qytete të tjera dhe tha në këtë rast “babai i vrasësit mban kokën lart në gjykatë dhe i thotë pa frikë gjykatësit se djali i tij ka bartur zakonet fisnore dhe nuk ka kryer asnjë keqbërje.”
Mobina Souri, një nuse fëmijë, u vra nga bashkëshorti i saj më 30 gusht në Lorestan, në Iranin perëndimor. Mobina ishte e martuar me një klerik të ri dhe një vendas tha se anëtarët e familjes së burrit të Mobinës e vranë atë nga dyshimi dhe fanatizmi për shkak të thashethemeve për të dhe një djalë tjetër. Burri i saj u ndalua, por u lirua pas 11 ditësh.
Sina Qalandari u gjykua në Degën 102 të Gjykatës Penale në Kuhdasht dhe akuzohej për “publikim të gënjeshtrave”, si dhe u ndalua nga gazetaria, krahas 27 muajve burg. Sina ishte arrestuar edhe më parë.
“Unë kisha publikuar lajmin (për Mobinën) dhe tre orë më vonë Agjencia e Lajmeve (shtetërore) Rokna publikoi versionin joreal të ngjarjes. Policia e FATA-s erdhi në shtëpinë ku qëndroja dhe na paralajmëroi. Prokurori më qortoi për publikimin e kësaj dhe i tha ndihmësprokurorit të çështjes sime të më dënonte në mënyrë që të mos publikoja më një lajm të tillë”, kishte thënë atë herë Qalandari.
Sina tha gjithashtu se kishte gjakderdhje gastrointestinale kur u ndalua për publikimin e lajmit, por autoritetet e burgut nuk e lejuan të shkonte në spital dhe i dhanë pilula të pasakta.
Regjimi iranian rriti goditjen e tij ndaj lirive civile mes presionit të ashpër ekonomik ndaj iranianëve.
Dhjetra anëtarë të shoqërisë civile iraniane u arrestuan ose filluan dënimet me burg në korrik, duke përfshirë anëtarë të familjeve të protestuesve të vrarë, avokatë dhe regjisorë të njohur filmash.
Regjimi klerik vazhdoi gjithashtu ekzekutimet e tmerrshme të përditshme.
Ndërkohë, regjimi rriti represionin dhe ngacmoi gratë iraniane me justifikimin e hixhabit të pahijshëm.
Raportet dhe imazhet publike në mediat sociale kanë treguar patrulla udhëzuese të vendosura në pjesë të ndryshme të qytetit teksa kapin dhunshëm gra dhe vajza, duke i futur ato në automjetet e patrullës përpara se t’i marrin. Agjentët me rroba civile të lidhura me qeverinë janë gjithashtu të lirë të fyejnë gratë dhe t’i abuzojnë ato.
Edhe pse hixhabi i detyrueshëm ka qenë gjithmonë një sfidë mes popullit dhe regjimit klerik që nga viti 1979, këtë herë urdhëri i Presidentit të regjimit ishte një përshkallëzim më i madh i shtypjes ndaj grave.