Forcat e sigurisë të regjimit klerikal kanë arrestuar edhe katër aktiviste të tjera të punës e të rrjeteve sociale gjatë dy ditëve të fundit.
Agjentët e Inteligjencës së IRGC në provincën perëndimore Ilam kanë arrestuar Khadijeh Mehdipour-in për veprimtaritë e saj në Instagram.
Agjentët e Inteligjencës së IRGC hynë me forcë në shtëpinë e saj më 5 tetor 2020 dhe e arrestuan. Khadijeh Mehdipour mbahet aktualisht në pavijonin e përgjithshëm të karantinës të grave në Burgun Qendror të Ilam. Ajo nuk ka akses në një avokat dhe i janë mohuar edhe të drejtat e tjera bazë.
Znj. Mehdipour ka lindur në 1987-ën dhe banon në Ilam-e Gharb. Ajo i ka humbur të dy prindërit dhe jeton me xhaxhain e saj.
Forcat e sigurisë kanë arrestuar gjithashtu Shabnam Ashouri-n në shtëpinë e saj në Teheran më 6 tetor 2020. Ata bastisën shtëpinë e saj dhe ia konfiskuan sendet personale.
Shabnam Ashouri ka lindur në 1987-ën dhe është e martuar. Ajo është redaktore dhe producente e revistës Agahnameh e cila trajton çështjet dhe problemet e punëtorëve iranianë.