Gratë luajnë rol udhëheqës në Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK)
Një nga prodhuesit e dokumentarëve të regjimit iranian, Iman Goudarzi, e ka pranuar se Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK) ka fituar me sukses interesimin e grave dhe vajzave në Iran. Ndërkohë që mediat shtetërore të regjimit përpiqen ta portretizojnë MEK-un si një lëvizje jo-popullore dhe të vdekur, Goudarzi pranoi se kjo lëvizje po fiton popullaritet në mbarë vendin dhe vetë zyrtarët e regjimit janë dëshmitarë për rolin në rritje të MEK në organizimin e protestave në Iran.
Goudarzi shprehu gjithashtu keqardhje për faktin që regjimi nuk ka bërë dokumentarë për MEK-un përpara kryengritjes mbarëkombëtare pas zgjedhjeve të 2009-ës, dhe që Hassan Rouhani ka miratuar një rezolutë në Këshillin Kombëtar të Sigurisë për të mos lejuar asnjë veprimtari lidhur me MEK.
Iman Goudarzi:
“Fatkeqësisht, mediat dhe shkrimet në vend kanë një perspektivë të gabuar për sa i përket MEK, dhe e paraqesin strukturën e tyre si të vjetër e të dalë mode. U themi të gjithëve që ajo është një lëvizje e vdekur ndërkohë që po e shohim rolin e saj në protestat në mbarë vendin.
“Z. Rouhani miratoi një rezolutë në Këshillin Kombëtar të Sigurisë për të ndaluar çdo veprimtari të lidhur me MEK. Fatkeqësisht, deri në 2009-ën, nuk kemi bërë asnjë dokumentar për MEK.
“Shumica e anëtarëve të MEK janë të diplomiuar nga universitete…. MEK ka arritur t’i tregojë vajzave të reja një fytyrë të re të gruas… shumë akademikë e madje edhe studentë të rinj e adoleshentë janë tërhequr nga kjo organizatë, dhe një pjesë e madhe e të arrestuarve gjatë viteve 80 kanë qenë adoleshentë 16 e 17 vjeçarë.” (agjencia e lajmeve Daneshjoo, 5 gusht 2020.)
Natyra mizogjiniste e regjimit
Që kur morën pushtetin në Iran pas revolucionit të 1979-ës, mullahët e bënë mizogjinizmin një nga shtyllat kryesore të sundimit të tyre. Që nga mbulimi i detyrueshëm e deri tek kufizimet në arsimim e punësim, regjimi u mundua me të gjitha mënyrat t’i privonte gratë nga të drejtat e tyre bazë dhe t’i detyronte të rrinin në shtëpi. E vetmja organiztatë që luftoi për të drejtat e grave që në fillim të revolucionit ishte MEK. Pas revolucionit, anëtaret femra të MEK luajtën një rol kyç në ofrimin e një modeli për vajzat dhe gratë në Iran, duke u treguar atyre se nuk kanë pse t’i përulen presionit dhe rregullave çnjerëzore të mullahëve dhe se mund të ngrihen e të luftojnë për të drejtat e tyre.
Në vitet 1980, regjimi i mullahëve ekzekutoi dhe torturoi mijëra gra dhe vajza të reja për faktin që ishin mbështetëse, simpatizante, apo anëtare të MEK. Mbi bazën e një fatwa të Liderit të atëhershëm Suprem të regjimit, Ruhollah Khomeini, marrja e jetës, pasurisë dhe nderit të anëtarëve e mbështetësve të MEK u cilësua “hallall”. Ithtarët e Khomeini-t nëpër burgje kanë torturuar mijëra gra në “njësitë rezidenciale“, “varret”, “qivuret” dhe “kafazet,” si dhe në korridoret e vdekjes. Kjo gjë nuk ua hoqi vendosmërinë grave të MEK, të cilat u bënë shembull i rezistencës në burgjet e regjimit.
Rezistenca e grave të MEK
Në një konferencë virtuale ndërkombëtare në Ashraf 3 në 39-vjetorin e fillimit të rezistencës kundër regjimit të mullahëve, Massoumeh Malek Mohammadi, 63 vjeç, zëvendës Sekretare e Përgjithshme e MEK, rrëfeu dëshminë e saj se si Garda Revolucionare (IRGC) kishte hapur zjarr mbi demonstratën paqësore të mbështetësve të MEK në Teheran në qershor 1981.
Ajo u njoh me MEK gjatë Revolucionit anti-monarkik të 1979-ës kur ishte studente në universitet. Ajo e nisi aktivizmin e saj politik si simpatizante e MEK.
Massoumeh Malek Mohammadi u arrestua më 20 janar 1983 dhe u burgos në Burgun Evin ku e torturuan mizorisht për tre vite.
“Ashtu si dhjetëra mijëra anëtarë e mbështetës të PMOI, unë i kalova fillimet e viteve 1980 në burg. Historitë se si ithtarët e Khomeini-t kanë kryer krime çnjerëzore kundër të burgosurve të tyre janë treguar deri në njëfarë pike. Por pak dihet për motrat tona dhe sa trimërisht kanë rezistuar dhe i kanë duruar torturat në burg ato,” shpjegoi Massoumeh Malek Mohammadi dhe shtoi se “Unë kam qenë dëshmitare e disa torturave e vrasjeve nëpër burgje.”
Roli udhëheqës i grave në Rezistencën Iraniane
Për shumë vite, regjimi iranian është përpjekur ta heshtë zërin e MEK me anë të ekzekutimeve masive, torturave, dhe shpenzimit të bilionave për fushata propagandistike, por sot vetë zyrtarët, ekspertët dhe studiuesit e regjimit po e pranojnë se këto përpjekje kanë dështuar. Mbështetja për MEK brenda vendit dhe rrjeti i saj i zgjeruar po rriten dita ditës dhe kjo është shqetësuese për regjimin.
Ndërkohë që regjimi vazhdon t’i shtypë të drejtat e grave në Iran, gratë kanë vazhduar të luajnë rol kyç në udhëheqjen e rezistencës së MEK kundër tiranisë së mullahëve.
Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), koalicioni opozitar në të cilin MEK bën pjesë, udhëhiqet gjithashtu nga një grua, Znj. Maryam Rajavi, e cila është një mbrojtëse e fortë e të drejtave të barabarta për gratë dhe burrat. Plani me dhjetë pika i Znj. Rajavi për të ardhmen e Iranit bën thirrje për “Barazi e plotë gjinore në të drejtat politike, shoqërore, kulturore dhe ekonomike, dhe pjesëmarrje e barabartë e grave në udhëheqjen politike; heqja e çdo forme diskriminimi; e drejta për të zgjedhur vetë veshjen, dhe për martesë, divorc, arsimim dhe punësim; ndalimi i çdo forme shfrytëzimi të grave me çfarëdo preteksti.”