Militantët e mbështetur nga Irani kanë qenë nën sulme të vazhdueshme nga mejete të panjohura ajrore në Siri
Katërmbëdhjetë anëtarë të grupeve militante që mbështeten nga regjimi iranian, të dërguar në Siri në përpjekje për të mbajtur në pushtet Bashar Assad-in, janë vrarë nga disa sulme ajrore mëngjesin e së dielës, sipas Observatorit Sirian të të Drejtave Njerëzore.
Këta militantë kishin qenë të stacionuar në bazat që ndodhen në qytetin Deir Ezzur në Sirinë lindore. Vlen të përmendet që këta individë janë kryesisht iranianë e irakenë, dhe shumica e tyre janë të plagosur rëndë. Numri i viktimave ka mundësi që të rritet, sipas raportit të Observatorit.
Regjimi i mullahëve ka një histori të gjatë të rekrutimit të njerëzve nga vendet e rajonit për t’i dërguar ata në luftën e Sirisë si mish për top. Raportet tregojnë se të hënën, më 27 korrik, disa zyrtarë të Burgut Qendror në Karaj, që ndodhet në perëndim të kryeqytetit iranian Teheran, së bashku me një delegacion që janë parë me veshje të cilësisë së lartë, kanë vizituar pavijonet e këtij burgu në kërkim të të burgosurve për t’i dërguar në Siri që të luftojnë si mish për top në krah të forcave të regjimit të Assad.
Ky delegacion u ka kërkuar të burgosurve të dënuar me vdekje apo burgim të gjatë për vrasje apo rrëmbim, që të pranojnë të dërgohen në Siri për të luftuar së bashku me forcat e regjimit iranian që përpiqen të mbajnë në pushtet Bashar Assad-in në Damask. Këtyre individëve u është premtuar se do të lirohen nga burgu nëse pranojnë të luftojnë në Siri.