Monday, February 6, 2023

Iran: Mbështetje e Gjerë për Ndryshim të Politikës Perëndimore Pas Shpalljes Fajtor të Terroristit Iranian

 

Iranian diplomat-terrorist Aassadolah AssadiDiplomati terrorist iranian, Aassadolah Assadi

Të enjten, parlamentarë dhe ekspertë të punëve të jashtme nga Europa dhe dy Amerikat morën pjesë në një konferencë online që ishte planifikuar të zhvillohej njëkohësisht me përmbylljen e një çështjeje gjyqësore belge lidhur me një komplot terrorist iranian të 2018-ës. Siç pritej, gjykatësi i kësaj çështjeje shpalli fajtor secilin prej katër pjesëmarrësve të njohur dhe dha dënimin maksimal me 20 vite burg për të pandehurin kryesor, diplomatin terrorist të Iranit, Assadollah Assadi.

Konferenca online, e organizuar nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), ofroi një mundësi për shprehjen e vlerësimeve të mëdha për këtë vendim. Folësja kryesore, Presidentja e NCRI-së, Znj. Maryam Rajavi, ishte shënjestra kryesore e komplotit terrorist, por ajo theksoi se vendimi i gjykatës përfaqëson një premtim për drejtësi e triumf për palë të panumërta.

Znj. Rajavi e përshkroi këtë verdikt si “një fitore e shkëlqyer për popullin dhe Rezistencën e Iranit dhe një disfatë e rëndë politike e diplomatike për regjimin.” Shumë nga folësit shprehën të njëjtën ndjenjë, duke u fokusuar gjithashtu tek perspektivat për zgjatjen e kësaj fitoreje dhe shkaktimin e disfatave të mëtejshme një regjimi, udhëheqja e të cilit duket se ka qenë e përfshirë në këtë çështje.

“Dënimi i diplomatit terrorist të regjimit… përfaqëson dënimin e regjimit klerikal në tërësi,” tha Znj. Rajavi, duke iu referuar pozicionit të mëparshëm të Assadi-t si konsullor i tretë në ambasadën e regjimit në Vienë. Dosja e çështjes së komplotit terrorist të 2018-ës ka vërtetuar se Assadi e ka përdorur statusin e tij diplomatik për t’iu shmangur kontrolleve të rëndomta të sigurisë dhe për të kontrabanduar në Europë 500 gram lëndë TATP me eksplozivitet të lartë. Më pas ai ia dorëzoi bombën një çifti iraniano-belg të cilëve u dha për detyrë të infiltroheshin në tubimin e përvitshëm “Irani i Lirë” të NCRI-së, i cili po zhvillohej jashtë Parisit.