Publikuar më 23 nëntor 2018.
Nga Shahriar Kia
Shtetet e Bashkuara po implementojnë një fushatë presioni maksimal mbi Iranin dhe procesi i daljes nga pakti bërthamor i 2015-ës me Iranin, apo Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) siç njihet zyrtarisht, pothuajse ka përfunduar.
Administrata Trump shpalli më herët këtë vit se do t’i rivendoste sanksionet paralizuese ekonomike dhe se priste nga të gjitha shtetet që t’i çonin në zero importet e tyre të naftës iraniane. Afati ishte fillimi i këtij muaji, dhe disa shtete nuk kanë mundur ta bëjnë këtë gjë. Shtetet e Bashkuara i kanë bërë lëshime këtyre vendeve, por me kushtin që t’i pakësojnë gradualisht importet me qëllimin për t’i çuar ato përfundimisht në zero.
Sanksionet paralizuese të regjimit iranian kanë nisur që tani të japin efektin e duhur. Eksportet e gjurmuara të naftës së regjimit kanë rënë fuqishëm këtë muaj. Në krahasim me muajin e shkuar, eksportet e naftës kanë rënë me disa qindra mijëra fuçi në ditë.
Një nga arsyet e kësaj është se klientët nuk kanë bërë porosi për naftë për shkak të sanksioneve amerikane dhe të pasigurisë nëse do të mund të merrnin leje për vazhdimin e importimit të naftës.
Analistët dhe ekspertët e industrisë, përfshirë Petro-Logistics – një kompani që gjurmon cisternat – kanë thënë se është krejtësisht normale që eksportet në fillim të nëntorit të kenë qenë shumë më të ulëta se muajin e mëparshëm pasi Shtetet e Bashkuara nuk i kishin nxjerrë akoma lejet dhe nuk kishte garanci se kush do t’i merrte këto leje. Për këtë arsye, shumë nga klientët e Iranit nuk porositën naftë fare.
Më 5 nëntor, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, shpalli në një konferencë për shtyp se do t’u jepeshin leje të përkohshme Koresë së Jugut, Taivanit, Turqisë, Greqisë, Japonisë, Kinës, Indisë dhe Italisë. Pompeo theksoi se këto leje janë të përkohshme dhe se u janë mohuar disa vendeve të tjera europiane që i kanë kërkuar.
Eksportet iraniane të naftës muajin e shkuar, sipas llogarive, kanë qenë midis 1.5 milion fuçi në ditë dhe 1.85 milion fuçi në ditë. Llogaritjet këtë muaj tregojnë se këto shifra kanë rënë në rreth 1 milion fuçi në ditë. Niveli më i lartë këtë vit ka qenë në prill, kur arriti rreth 2.5. milion fuçi në ditë.
Kjo tregon se sanksionet po e bëjnë punën e tyre dhe është e domosdoshme që të vazhdojnë. Administrata Trump ka thënë se do të vazhdojë të imponojë sanksione dhe nuk e ka eliminuar mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja.
Populli i Iranit po i ndjen në mënyrë të pashmangshme efektet e sanksioneve, por i mirëpret ato. Ai e di se regjimi iranian nuk do të ndryshojë kurrë e nuk do të bëhet kurrë i moderuar, kështu që populli po e merr të ardhmen në duart e veta duke punuar për ndryshimin e regjimit.
Kështu, përveç presionit nga Shtetet e Bashkuara, regjimi iranian po ndjen edhe djegien që i vjen nga vetë populli. Është thjesht çështje kohe përpara se regjimi të rrëzohet dhe ajo ditë do të jetë e shumëpritur nga populli që është i dëshpëruar për liri, demokraci e të drejtat njerëzore.