Friday, September 13, 2024

Pompeo Nxit Kompanitë e Naftës që të mos Blejnë më nga Regjimi Iranian

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo i ka bërë thirrje kompanive të naftës që ta ndihmojnë administratën Trump në reduktimin e importeve të naftës nga aktorë shtetërorë malinjë si Irani dhe të rrisin blerjet e naftës dhe gazit amerikan.

Pompeo tha në konferencën IHS CeraWeek nga IHS Markit – takimi më i madh i përvitshëm i industrisë së naftës dhe gazit në SHBA – se Irani dhe vende të tjera po përpiqen t’i përdorin eksportet e energjisë për të rritur pushtetin e tyre mbi kombet e tjera.

Ai tha: “Disa vende po e përdorin energjinë e tyre për qëllime malinje dhe jo për të promovuar prosperitetin ashtu siç bëjmë ne këtu në Perëndim. Nuk po eksportojmë thjesht energji amerikane. Po eksportojmë sistemin tonë të vlerave tregtare.”

Kompanitë e naftës të cilave iu drejtua Pompeo, përfshinin Chevron Corp, Total SA, Royal Dutch Shell PLC, ConocoPhillips dhe Occidental Petroleum Corp.

Deri tani në përpjekjen e vazhduar të SHBA-së, ato kanë patur sukses në Kinë, Japoni dhe në Korenë e Jugut, vende të cilave aktualisht u janë bërë lëshime për sa i përket sanksioneve për blerjet e naftës iraniane, të cilat do të skadojnë në maj.

Vendet e tjera të cilave u janë bërë lëshime për sanksionet nga SHBA përfshijnë Indinë, Italinë, Greqinë, Taivanin dhe Turqinë.

Një përfaqësues i Departamentit amerikan të Shtetit ka konfirmuar se SHBA nuk i ka tërhequr ende këto lëshime ndaj sanksioneve.

Një deklaratë thotë: “Qëllimi i politikës sonë mbetet t’i bindim të gjitha vendet që ta ndalin blerjen e krudos iraniane sa më shpejt të jetë e mundur… Secili nga këto juridiksione ka demonstruar reduktim të konsiderueshëm të blerjes së krudos iraniane gjatë gjashtë muajve të shkuar, dhe në fakt, dy nga këto tetë juridiksione i kanë dhënë tashmë fund plotësisht importeve të krudos iraniane dhe nuk do të rifillojnë për sa kohë që sanksionet të mbeten në fuqi. Vazhdojmë të punojmë me përfituesit e mbetur [të lëshimeve] për t’u dhënë fund importeve të krudos iraniane.”

Në vijim të rikthimit të sanksioneve amerikane mbi naftën iraniane në fund të vitit të shkuar, për shkak të tërheqjes së SHBA-së nga Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) ose “Pakti me Iranin”, eksportet e naftës iraniane kanë rënë tashmë në rreth 1 milion fuçi në ditë, më pak se gjysma e sasië që eksportohej në maj 2018.

Pompeo, ish-drejtor i CIA-s, tha: “Kemi për qëllim t’i çojmë eksportet iraniane në zero sa më shpejt që të mundemi… “Nuk është transaksion tregtar, është transaksion politik.”

Qëllimi është të ndërpriten të ardhurat financiare të Iranit – eksportet e naftës janë rreth 70% të GDP-së së tij – por edhe të mos lejohet Irani që t’i përdorë këto shitje për të fituar kontroll politik në vendet të cilave u shet. SHBA po i forcon gjithashtu lidhjet me kombe të tjera të Lindjes së Mesme në mënyrë që ta rrisë izolimin politik e ekonomik të Iranit.