Shfaqje e Fuqishme Mbështetjeje për Opozitën Iraniane në Marshimin e Uashingtonit

534

Javën e shkuar, mijëra iraniano-amerikanë nga mbarë Shtetet e Bashkuara u bënë bashkë në Freedom Plaza (Sheshi i Lirisë) të Uashingtonit për të bërë thirrje për ndryshim demokratik në Iran.

Më pas ata marshuan drejt Shtëpisë së Bardhë, ku bënë thirrje për mbështetje ndaj kryengritjeve mbarëkombëtare në Iran kundër regjimit klerikal. Pjesëmarrësit mbanin banderola me foto të Presidentes së zgjedhur të NCRI-së, Maryam Rajavi, në mbështetje të planit të saj me 10 pika për një Iran të lirë në të ardhmen.

Në një mesazh me video drejtuar tubimit, Presidentja e NCRI-së, znj. Maryam Rajavi, foli për Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhe për përpjekjet e popullit iranian për liri në vendin e tij. “Regjimi tashmë përballet me një nga periudhat më të vështira të sundimit të tij. Kryengritjet e vazhdueshme e kanë destabilizuar strukturën e pushtetit. Dhe nuk ka më kthim prapa. Ndryshimi në Iran është më i prekshëm se kurrë ndonjëherë,” tha znj. Rajavi. 

Kongresmeni Brad Sherman, anëtar i lartë i Komitetit të Dhomës për Punët e Jashtme, dhe Kryetar i Nënkomitetit për Azinë, Paqësorin dhe Mos-proliferimin, u tha pjesëmarrësve të tubimit: “Dua ta përgëzoj Madamë Rajavi-n që vazhdon të promovojë demokracinë, të drejtat njerëzore, të drejtat e grave, dhe të drejtat e minoriteteve në Iran.”

Rep. Sheila Jackson Lee e Teksasit, nën një shi të dendur, iu drejtua iranianëve: “Unë besoj në atë që besoni edhe ju. Populli iranian dëshiron ndryshim regjimi.”

Linda Chavez, një ish-zyrtare e Shtëpisë së Bardhë, dënoi shkeljet e të drejtave njerëzore në Iran dhe emërimin e Ebrahim Raeesi-t (Ebrahim Raisi) si kryetar gjyqësor të regjimit, një autor i masakrës së 30,000 të burgosurve politikë në 1988-ën.

Adam Ereli, ish-Ambasador i SHBA-së në Bahrein dhe ish-zëvendës zëdhënës i Departamentit të Shtetit, foli gjithashtu fuqishëm në Marshimin për Lirinë e Iranit në Uashington D.C. “Ka miliona iranianë të cilët nuk e lejojnë burgun, torturën, urinë apo vdekjen t’ua ndalë protestën.”

Tubimi i 8 Marsit, i organizuar nga Organizata e Komuniteteve Iraniano-Amerikane (OIAC), bëri një shfaqje të fortë mbështetjeje për NCRI-në dhe Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (Mujahedin-e Khalq, MEK). Në qershor 2018, autoritetet europiane zbuluan se, i frikësuar nga rritja e mbështetjes për MEK brenda Iranit, regjimi kishte tentuar të shpërthente një bombë kundër MEK në tubimin e përvitshëm Irani i Lirë në Paris.

Ambasadori Ken Blackwell, një ish-ambasador i SHBA-së në Komisionin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, shkroi këtë javë: “Qëndrueshmëria e komunitetit të aktivistëve të Iranit u shfaq fuqishëm këtu në Uashington këtë javë, ku mijëra iraniano-amerikanë marshuan në mbështetje të NCRI-së dhe Planit të saj me 10 pika për një Iran të lirë, demokratik dhe jobërthamor.”

“Ata kishin për qëllim ta sillnin në Uashington mesazhin e popullit të Iranit. Me pak fjalë, ata nuk durojnë më. Ata janë të fortë. Janë të aftë. Dhe janë të vendosur për t’ia dalë mbanë në përmbysjen e këtij regjimi të lig e jolegjitim. Ata meritojnë mbështetje morale dhe politike nga vendet demokratike të botës.”