OKB i Bën Thirrje Regjimit Iranian që t’i Japë Fund Torturës, Ekzekutimit të Minorenëve dhe Diskriminimit Ndaj Grave

487

Shqipëria i bën thirrje regjimit të Iranit që të bashkëpunojë me të gjithë Raportuesit Specialë të OKB-së

Shkruar nga Hamideh Taati më 12 nëntor 2019.

Të martën, komuniteti ndërkombëtar e ngriti zërin në Kombet e Bashkuara në Gjenevë kundër abuzimeve ndaj të drejtave të njeriut, të kryera nga regjimi iranian, brenda kontekstit të Rishikimit Periodik Universal (UPR).

Më 8 nëntor 2019, rreth 111 vende morën pjesë në UPR-në e situatës së të drejtave njerëzore në Iran, duke kritikuar ekzekutimin e minorenëve, torturën, dhe diskriminimin ndaj grave në Iran. UPR është një mekanizëm ku shtetet anëtare të OKB-së kanë mundësinë t’u japin rekomandime qeverive që i nënshtrohen rishikimit. 

Më 12 nëntor 2019, konkluzionet dhe rekomandimet e Grupit të Punës për UPR-në u pranuan nga komuniteti ndërkombëtar në një takim të Këshillit të OKB-së për të Drejtat Njerëzore

 

 

 

Janë bërë në total 329 rekomandime për regjimin e Iranit.  

Disa vende i bënë thirrje regjimit që ta ratifikojë Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW). 

Danimarka, Estonia dhe Moldavia i bënë thirrje regjimit që ta ratifikojë Konventën Kundër Torturës dhe Trajtimeve apo Ndëshkimeve të Tjera Mizore, Çnjerëzore apo Poshtëruese. 

Gjermania i bëri thirrje regjimit që t’i “Ratifikojë konventat thelbësore ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, në veçanti, Konventën kundër Torturës dhe Trajtimeve apo Ndëshkimeve të Tjera Mizore, Çnjerëzore apo Poshtëruese si dhe Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Kundër Grave.” 

Shqipëria i bëri thirrje regjimit të Iranit që të bashkëpunojë me të gjithë Raportuesit Specialë të OKB-së që dëshirojnë ta vizitojnë atë vend. 

Shtetet e Bashkuara thanë se regjimi iranian duhet t’i japë fund menjëherë përdorimit të torturës, dhe t’i hetojë e t’i ndjekë penalisht në mënyrë të besueshme të gjitha akuzimet për torturë, ndërsa Ukraina i bëri thirrje Iranit që t’i “Heqë të gjitha dispozitat ligjore kombëtare që lejojnë ndëshkime të barasvlefshme me torturë apo trajtim mizor e poshtërues.”