Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI)
Më 7 nëntor 2019, BBC World Service transmetoi një raport mbi grupin kryesor të opozitës iraniane, Mujahedin-e Khalq (PMOI/MEK), të mbushur me akuzime bajate e të vjetëruara.
Në një deklaratë në të njëjtën ditë, Komiteti i NCRI-së për Sigurinë dhe Anti-terrorizmin iu përgjigj këtij raporti, duke i qartësuar dhe theksuar përpjekjet e shfrenuara të diktaturës fetare në Iran kundër MEK-ut, nën petkun e turpshëm të “ish-anëtarëve të MEK.”
Katër ditë më vonë, më 11 nëntor 2019, uebsitet në persisht dhe anglisht të BBC-së postuan një version të ri të atij raporti, të redaktuar në mënyrë të tillë që t’i shërbejë konsumimit nga mediat e regjimit dhe liderët e lutjeve të së premtes. Akomodimi që BBC i bën makinerisë së propagandës së regjimit iranian tregon qartë se deri në çfarë pike ka vendosur të shkojë kjo media për t’i shërbyer regjimit të mullahëve, ndonëse tirania fetare po shkërmoqet nën peshën e rezistencës së popullit iranian, zhvillimeve rajonale dhe rritjes së izolimit ndërkombëtar të këtij regjimi kaq të neveritshëm.
Klipi origjinal prej 26 minutash ka rreth 4,000 fjalë në përmbajtjen e tij (të disponueshme këtu). Por redaktorët e BBC-së kanë hequr dhe censuruar më shumë se gjysmën e tij në versionin e postuar në uebsitet e BBC-së. Është befasuese që BBC është angazhuar në “censurim të një përmbajtjeje të censuruar që më parë.”
Një pjesë e përmbajtjes së censuruar përfshin:
- Deklaratat e avokates Margarita Kola, lidhur me fushatën e regjimit për keqinformim;
- Email-e kërcënuese të dërguara nga Ministria e Inteligjencës dhe operativë të mullahëve në adresë të kësaj avokateje, të cilat përmbajnë gjuhë vulgare e fjalë të turpshme që ajo nuk mund t’i përsëriste në intervistë; dhe kërcënime terroriste kundër avokates dhe vajzës së saj që studion në Austri.
Ky është vetëm shembulli më i fundit i asaj që i ndjeri poet i famshëm iranian Ahmad Shamlou e përshkruante si “lloji më i poshtër i censurimit” i praktikuar nga BBC, dhe të kujton armiqësinë e saj ndaj Kryeministrit të nderuar Dr. Mohammad Mossadeq dhe Ministrit të Jashtëm Dr. Hossein Fatemi. Kjo shpjegon gjithashtu pse populli iranian i referohet BBC-së si BBC “e Ajatollahut”. Megjithatë, çështja e fushatës së Teheranit për keqinformim kundër Rezistencës Iraniane është kaq e diskredituar saqë edhe vetë redaktorët e BBC-së janë detyruar të pranojnë deklarata nga diplomatët që thonë: “Disa nga ish-anëtarët e organizatës që janë larguar është e sigurtë që bashkëpunojnë me Iranin (regjimin).”
Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit
Komiteti i Sigurisë dhe Anti-terrorizmit
11 nëntor 2019