Friday, July 26, 2024

Kostot e jetesës në Iran vazhdojnë të rriten ndërkohë që pagat e punëtorëve tkurren

Nga Shahriar Kia

Ndërsa situata ekonomike e Iranit vazhdon të përkeqësohet, regjimi nuk po bën asgjë për ta mbrojtur jetesën e njerëzve kundër rritjes së çmimeve dhe zvogëlimit të fuqisë blerëse.

Ahmad Tavakoli, një anëtar i Këshillit të Ekspediencës të regjimit iranian dhe ish-anëtar i Majlis (parlamentit), pranoi në një intervistë me Agjensinë shtetërore të lajmeve Icana më 15 qershor 2019 se populli po e humb fuqinë për të blerë edhe nevojat më themelore.

Tavakoli tha gjithashtu se inflacioni në Iran midis marsit 2018 dhe marsit 2019 ka qenë 47.5 përqind. Si rezultat, vuri në dukje ai, një punëtor që e ka patur rrogën 13.5 milion ($100) në muaj vitin e shkuar do të kishte një fuqi blerëse prej vetëm 6.5 milion rial në mars 2019. (1 dollar amerikan = 135,000 rial sipas kursit aktual jo-zyrtar të këmbimit)

Sipas shifrave të publikuara më 16 qershor 2019 nga agjensia iraniane gjysëm-zyrtare e lajmeve ILNA, ‘shporta e jetesës’ e një familjeje të rëndomtë iraniane kushton aktualisht 64 milion rial në muaj për nevojat themelore. Kjo bazohet në shifrat e marra nga Qendra Statistikore e Iranit. Gjatë muajve të shkuar, kostot e jetesës janë rritur me mbi 70 përqind, thotë raporti.

Në rrethanat aktuale, punëtorëve iranianë u duhen të paktën 22 milion rial më shumë në muaj për t’iu përgjigjur nevojave më themelore, thotë raporti.

Ajo që e bën situatën edhe më të keqe është se në shumë rajone të vendit, as këto rroga të vogla nuk u jepen punëtorëve për muaj të tërë.

Paefektshmëria e regjimit dhe mungesa e përgjigjes ndaj nevojave më themelore të popullit vazhdon të ndezë zemërim e protesta në mbarë vendin. Gjatë muajve të fundit janë bërë demonstrata e greva të shumta nga komunitete të ndryshme punëtorësh në protestë ndaj rritjes së çmimeve, rrogave të papaguara dhe përkeqësimit të kushteve të punës.

Ndërkohë që iranianët e rëndomtë vuajnë për të siguruar jetesën, regjimi i shpërdoron burimet e kombit për sponsorizimin e terrorit në rajon, nxitjen e luftës në Siri, prodhimin e armëve të shkatërrimit masiv dhe për pasurimin e anëtarëve të Gardës Revolucionare dhe të mullahëve në pushtet.

Për sa kohë që mullahët të jenë në pushtet, iranianët nuk do të mund të përfitojnë kurrë nga pasuria e burimeve të tyre natyrore dhe të lulëzojnë si një popull i lirë.

Paqja në rajon dhe prosperiteti për popullin iranian mund të vijnë vetëm atëherë kur iranianët dhe Rezistenca e tyre e organizuar, e udhëhequr nga Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI ose MEK) të arrijnë ndryshimin e regjimit në Iran.