Përfaqësuesi i Khamenei-t: Kostoja e Kompromisit me SHBA-në Është më e Madhe se Kostoja e Konfrontimit

725

 

Nga Mohammad Sadat Khansari

Një përfaqësues i lartë i Liderit Suprem të regjimit iranian ka thënë në televizionin shtetëror iranian se u arritja e një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara do t’i kushtonte më shtrenjtë regjimit sesa vazhdimi i konfrontimit.

Duke folur në Kanalin 2 të Iranit të martën më 18 qershor, Saeed Jalili, përfaqësuesi i Liderit Suprem Ali Khamenei në Këshillin Suprem të Sigurisë Kombëtare, tha se “kostoja e kompromisit është më e madhe sesa kostoja e rezistencës,” ka raportuar Agjensia shtetërore e Lajmeve Mehr.

“Mund t’i rezistojmë presionit ekonomik të Amerikës me të njëjtën vendosmëri që kemi shfaqur gjatë Mbrojtjes së Shenjtë,” tha ai, duke iu referuar luftës Iran-Irak.

Jalili deklaroi se SHBA po ushtron presion ekonomik kundër regjimit iranian sepse “e di se opsioni ushtarak nuk paraqet ndonjë avantazh.”

“Ata ushtrojnë presion [mbi ne] dhe në të njëjtën kohë thonë se nuk po kërkojnë luftë. Kjo sepse e dinë që nuk mund t’ia imponojnë një luftë popullit të Iranit dhe janë krejt të vetëdijshëm për kostot që do të sillte lufta,” shtoi ai.

Ndërsa komandanti i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të regjimit iranian tha të martën se raketat balistike të Teheranit janë të afta të godasin “anijet transportuese në det” me preçizion të lartë.

Departamenti amerikan i Shtetit e shtoi IRGC-në në listën e Organizatave të Huaja Terroriste në prill 2019.

SHBA do ta mbajë fushatën e presionit mbi regjimin iranian dhe do të vazhdojë ta parandalojë agresionin në rajon, por nuk dëshiron që konflikti me Teheranin të përshkallëzohet, tha të martën Sekretari i Shtetit Mike Pompeo.

Të hënën, SHBA shpalli se do të dërgonte rreth 1,000 trupa shtesë në Lindjen e Mesme, duke dhënë si shkak shqetësimet për një rrezik nga regjimi iranian.

Zyrtarët amerikanë e kanë fajësuar regjimin iranian për sulmet e javës së shkuar mbi dy cisternat e naftës në Gjirin e Omanit, si dhe për sulmet mbi katër cisternat në bregdetin e Emirateve të Bashkuara Arabe në maj.

“Po ta shohësh se çfarë kanë bërë. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për javën e shkuar. Po flas për një periudhë të gjatë vitesh të tëra. Ata kanë qenë komb terrori,” tha Trump lidhur me regjimin.

Regjimi iranian shpalli të hënën se do t’i thyente së shpejti limitet mbi sasinë e uraniumit të pasuruar që mund të prodhojë sipas marrëveshjes bërthamore të 2015-ës.

Bazuar pjesërisht në raporte lajmesh