Shkruar nga Shahriar Kia
Parlamenti i regjimit iranian i ka miratuar të gjithë ministrat e propozuar nga Ebrahim Raisi, përveç njërit. Ishte e pritshme që parlamenti thjesht do t’ua vinte vulën verbtazi zgjedhjeve të Raisi-t dhe si rrjedhim, të eprorit të tij, Liderit Suprem të regjimit Ali Khamenei, i cili i ka përzgjedhur vetë si parlamentin, ashtu edhe ministrat e Raisi-t.
Disa nga të emëruarit janë anëtarë të spikatur të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, entitetit terrorist të regjimit që është përgjegjës për një pjesë të madhe të shtypjes që regjimi i bën disidencës së popullit, si dhe për mbështetjen ndaj proksive terroristë në rajon e në botë. Madje, personi që do të jetë Ministër i Brendshëm, Ahmad Vahidi, është subjekt i një urdhër arresti nga Interpoli për shkak të përfshirjes së tij në shpërthimin e bombave në Argjentinë në vitin 1994.
Ndërkohë që vënia e një figure si Vahidi në postin e Ministrit të Brendshëm nënkupton një mbështetje të qartë për terrorizmin, duhet mbajtur mend që terrorizmi është një pjesë e pandashme e regjimit.
Ndonëse apologjetët e regjimit janë përpjekur t’i paraqesin figurat e qeverisë së mëparshme si të moderuar, ai lloj dialogu thjesht kishte si qëllim të maskonte veprimtaritë malinje të regjimit.
Presidenti i mëparshëm i regjimit, Hassan Rouhani, e ka konfirmuar vetë që terrorizmi dhe diplomacia e regjimit ecin krah për krah. Në një mbledhje prillin e shkuar, ai pati lavdëruar bashkëpunimin midis personelit diplomatik dhe ushtarak të regjimit. “Fronti dhe diplomacia janë dy krahë” të të njëjtës strategji, tha ai pasi ishte mburrur për kontributin e tij në të dy anët e këtij dualitetit. “Po flas si një njeri që ka qenë pjesë e Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare për 32 vite,” tha ai.