Monday, October 2, 2023

Teksa Përvjetori i Protestave të Iranit po Afrohet, Regjimi i Shton Masat Shtypëse

Shkruar nga Shahriar Kia

Teksa afrohet përvjetori i protestave madhore të Iranit në nëntor 2019, regjimi po i shton masat represive për t’iu kundërvënë një kryengritjeje të mundshme. Veprimet e fundit të regjimit iranian reflektojnë gjithashtu frikën e mullahëve nga shoqëria e trazuar iraniane.

Agjencia shtetërore Mizan, e cila është e lidhur ngusht me Drejtësinë e regjimit, ka shpallur krijimin e qendrës kundër veprimtarive të të rinjve rebelë në Teheran.

“Në mënyrë që të promovojë sigurinë publike dhe për të luftuar kundër pasigurisë, do të themelohet një qendër në Gjykatat Publike dhe Revolucionare në Teheran,” shkruan Mizan.

“Duke qenë se [Ebrahim] Raisi [Kryegjyqtari] ka theksuar nevojën për një përqasje decizive ndaj banditëve dhe atyre që dëmtojnë sigurinë e shoqërisë dhe lagjeve në Teheran, është vënë në agjendë ndëshkimi i atyre që thyejnë normat. Është mbajtur një mbledhje për të koordinuar dhe intensifikuar kundërmasat,” shton Mizan, duke i quajtur të rinjtë rebelë si njerëz që thyejnë normat.

Teksa regjimi përmbytet nga krizat, ai përpiqet dëshpërimisht ta vërë nën kontroll shoqërinë e trazuar iraniane. Presioni ekonomik dhe kriza e covid-19, të cilat janë produkte të keqmenaxhimit të regjimit, e kanë kthyer shoqërinë iraniane në një fuçi baruti.

Mediat shtetërore dhe zyrtarët e regjimit paralajmërojnë njëri-tjetrin për afrim të kryengritjeve. Gjithashtu, grindjet e brendshme të regjimit kanë hyrë në një nivel të ri. Javën e shkuar, deputetët e regjimit nga fraksioni i Liderit Suprem Ali Khamenei kërcënuan Hassan Rouhani-n, presidentin e regjimit, me ekzekutim.

“Është e domosdoshme që strategjia e brendshme, rajonale dhe globale e Iranit të ndryshojë. Nisur nga rrethanat aktuale, nuk ka asnjë mënyrë tjetër. Vështirësitë [e shoqërisë] dhe armiqësitë [e regjimit] e kanë bërë situatën të padurueshme për popullin,” shkruan gazeta shtetërore Setare Sobh (Ylli i Mëngjesit) të shtunën.

Përhapja e koronavirusit dhe bllokimi i regjimit

Kur covid-19 hyri në Iran, regjimi iranian, me anë të fshehjes dhe mashtrimit, e përdori atë për të shuar zërat e shoqërisë. Tani, kriza e koronavirusit ka arritur një pikë ku as regjimi nuk ka kontroll mbi të. Tani mullahët kanë frikë nga shpërthimi i koronavirusit, rritja e numrit të vdekjeve dhe rritja si pasojë e urrejtjes dhe zemërimit të njerëzve ndaj regjimit. Megjithatë, pavarësisht ndihmës për njerëzit, si financiarisht dhe materialisht, regjimi e ka rritur shtypjen e tij.

Komandanti i Gardës Revolucionare (IRGC), Hossain Salami, njoftoi vendimin e tyre të ri të “Kërkimit të shtëpive, për gjetjen e njerëzve të sëmurë” dhe “ndarjen e njerëzve të infektuar nga të tjerët dhe transferimin e tyre në qendrat shëndetësore”, (webfaqja shtetërore Khabar-online, 31 tetor). Këto masa të IRGC janë vetëm për shkak të situatës kritike dhe shpërthyese të shoqërisë iraniane, dhe IRGC synon të rrisë masat e saj shtypëse për të parandaluar çdo protestë që do të çonte në një kryengritje. Përveç kësaj, IRGC masakroi 1500 protestues gjatë kryengritjes së nëntorit, si shtesë e rekordit të saj të shtypjes në 40 vjet. Pra, si i ndihmon një forcë shtypëse, pa ndonjë njohuri mjekësore, të njëjtët njerëz që kishin hapur zjarr vitin e kaluar? I ashtuquajturi “misioni i luftës kundër koronavirusit” i IRGC-së është një masë tjetër shtypëse për t’iu kundërvënë kryengritjes dhe për të shtypur më tej njerëzit.