Saturday, July 27, 2024

Iran: Thirrje për Hetim Mbi Vdekjen në Burgun Homayunshahr të një Protestuesi të Arrestuar në vitin 2018

Iran: Thirrje për Hetim mbi Vdekjen në Burgun Homayunshahr të një Protestuesi të Arrestuar në vitin 2018

Mehdi Salehi Vdes në Rrethana të Dyshimta pasi i Mohohet Kujdesi Mjekësor

 

Të enjten, më 14 prill 2022, Mehdi Salehi, një i burgosur politik 36-vjeçar nga Yazdanshahr, i arrestuar gjatë kryengritjes së janarit 2018, vdiq në rrethana të dyshimta në burgun Homayunshahr në Isfahan. Mehdi vdiq për shkak të privimit nga kujdesi mjekësor. Trupi i tij u varros këtë mëngjes në Yazdanshahr nën vëzhgimin e forcave të sigurisë. Forcat represive nuk e lejuan familjen e tij të mbante një ceremoni varrimi.

Për shkak të injektimit të ilaçit të gabuar dhe dërgimit me vonesë në spital, Mehdi pësoi një goditje në tru dhe ishte në koma për disa ditë në dhjetor 2021. Ai ishte një nga të rinjtë më trima dhe të dashur në Yazdanshahr. Ai u arrestua gjatë kryengritjes së janarit 2018, teksa ndihmonte një nga shokët e tij, i cili ishte qëlluar. Mehdi, së bashku me katër protestues të tjerë të arrestuar, u dënuan me vdekje në shkurt 2020 nga Dega e Dytë e Gjykatës Revolucionare të Isfahanit pasi u akuzuan për Moharebeh (armiqësi kundër Zotit).

Regjimi iranian i torturon rregullisht të burgosurit, veçanërisht të burgosurit politikë, duke i privuar ata nga kujdesi mjekësor, gjë e cila ka rezultuar në vdekjen e viktimave që nga kryengritja e vitit 2018.

Rezistenca iraniane e dënon fuqishëm këtë krim të urryer dhe i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Komisionerit të Lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut, Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe raportuesve përkatës të OKB-së që të formojnë një mision hetimor ndërkombëtar për të hetuar vdekjen e të burgosurit politik Mehdi Salehi dhe të burgosurve të tjerë të torturuar deri në vdekje ose të vrarë në mënyrë të dyshimtë nga regjimi klerik. Rasti i shkeljeve brutale dhe sistematike të të drejtave të njeriut në Iran duhet t’i referohet Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe liderët e regjimit, veçanërisht Khamenei, Ebrahim Raisi dhe Gholam-Hossein Mohseni-Eje’i, kreu i gjyqësorit i regjimit, duhet të nxirren para drejtësisë për katër dekada krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.