Deri më tani, Shtëpia e Bardhë ka hezituar të pranojë kërkesën e regjimit iranian për të hequr Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike nga lista e organizatave të huaja terroriste e Departamentit të Shtetit, si kusht për rizbatimin e marrëveshjes bërthamore të Iranit të vitit 2015. Negociatat për të rivendosur pajtimin e ndërsjellë me Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit filluan më shumë se një vit më parë në Vjenë, por kanë hasur disa pengesa, prej të cilave gjoja e fundit është refuzimi i Iranit për t’u tërhequr nga ultimatumi i tij në lidhje me IRGC-në.
Përballë kësaj kokëfortësie të Iranit, shumë ligjvënës amerikanë dhe komentatorë politikë kanë shprehur shqetësimin se administrata e presidentit Joe Biden do të terhiqej e para dhe do të binte dakord për lëshime shtesë, në vend që të lejonte që JCPOA të shembet një herë e përgjithmonë. Administrata fillimisht deklaroi se kishte si synim arritjen e një marrëveshje bërthamore “më të gjatë dhe më të fortë” në bisedimet e Vjenës, por ky qëllim me sa duket është braktisur pasi Teherani e ka bërë të qartë se nuk pranon të negociojë lidhur me asgjë tjetër përveç rikthimit të heqjes së sanksioneve në përputhje me kushtet origjinale të marrëveshjes së vitit 2015.
Anëtarë të shumtë Republikanë të Kongresit, si dhe disa aleatë të SHBA-së në rajonin e Lindjes së Mesme, kanë kritikuar së fundmi Shtëpinë e Bardhë për faktin që po shkojnë drejt një marrëveshjeje që është “më e shkurtër dhe më e dobët”. Edhe pse Republikanët janë pothuajse unanim në kundërshtimin e tyre ndaj marrëveshjes në zhvillim, JPCOA nuk ka qenë ndonjëherë shumë e pëlqyer as në mesin e demokratëve. Katër senatorë demokratë votuan për një rezolutë të mosmiratimit kur u përfundua marrëveshja origjinale dhe JCPOA në fund eci përpara bazuar në rregullat procedurale, pavarësisht kundërshtimit të shumicës nga ligjvënësit.
Ky skepticizëm, së bashku me kundërshtimin e plotë ndaj një marrëveshjeje të re me Iranin, duket se është rritur në mënyrë të konsiderueshme pasi u bë e qartë se arritja e një marrëveshjeje në Vjenë do të ishte e pamundur për sa kohë që IRGC do të mbetej në listën terroriste të SHBA. Në shkurt, 33 ligjvënës Republikanë nënshkruan një letër ku i rikujtonin Presidentit Biden përgjegjësinë e tij për të dërguar një marrëveshje të re për rishikim në Kongres. Ndërsa më 14 mars një tjetër letër u nënshkrua nga të gjithë përveç njërit prej 50 senatorëve Republikanë në detyrë dhe përmbante gjuhë shumë më të fortë. Në letër deklarohej se “nëse administrata bie dakord për një marrëveshje” e cila nuk e ndalon në mënyrë përfundimtare progresin e Iranit drejt një arme bërthamore, nuk adreson ndërhyrjet rajonale të regjimit, zhvillimin e raketave balistike, e kështu me radhë, atëherë “ne Republikanët do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për ta prishur atë.”