Të premten, më 21 janar, Dr. Javad Safari, pedagog universiteti në pension, kreu vetëvrasje për shkak të vështirësive financiare dhe pasi nuk kishte marrë pension prej muajsh. Vdekja e tij tragjike nxjerr në pah edhe një herë se si vjedhjet dhe korrupsioni i regjimit iranian kanë shkatërruar jetët e njerëzve.
Ndërkohë është përhapur lajmi se në nëntor, Hojat Abdolmaleki, Ministri i Kooperativave, Punës dhe Mirëqenies Sociale i regjimit, kishte “dhuruar” 60 bilion rial (afërsisht 1.5 milion dollarë) për një shfaqje televizive. Ministria e Abdolmaleki kontrollon Organizatën e Sigurimeve Shoqërore të Iranit, Organizatën Kombëtare të Pensioneve, Kompaninë e Investimeve të Sigurimeve Shoqërore (Shasta). Fati i Dr. Javad Safari, familjes së tij dhe pensionistëve të tjerë iranianë është në duart e njerëzve si Abdolmaleki.
Në një letër drejtuar Abdolmalekit, Ali Foroughi, drejtori i televizionit shtetëror Channel 3, i ka kërkuar atij një investim prej 480 bilion rialësh për realizimin e 780 episodeve të konkursit “Sheshi”. Në më pak se 24 orë, Abdolmaleki miratoi kërkesën për financim.
Ky i ashtuquajtur “donacion” shkaktoi shumë bujë në mediat shtetërore të Iranit. Shumë media pyetën me sarkazëm nëse Abdolmaleki është ministër apo “Bankomat i miqve të tij në televizion”.
Për shkak të korrupsionit dhe paaftësisë së regjimit, standardet e jetesës së iranianëve janë ulur ndjeshëm dhe varfëria ua shkatërron jetën. Të gjithë, përveç funksionarëve të regjimit, po e ndjejnë dhimbjen.
Dekada të tëra korrupsioni dhe keqmenaxhimi, së bashku me armiqësitë e Teheranit ndaj komunitetit ndërkombëtar, kanë bërë që monedha kombëtare të bjerë nga 43,000 rial për një dollar amerikan në 280,100 këtë javë në tregun e hapur. Ndërkohë, gjithçka, që nga qiraja e deri te çmimet e veshjeve, bazohet në dollarë sepse pjesa më e madhe e lëndëve të para importohen. Pra, njerëzit po shpenzojnë shumë më tepër nga të ardhurat e tyre për shumë më pak.