Wednesday, February 1, 2023

Iran: Greva e Punëtorëve të Minierave të Kerman Aseminoon Ka Kaluar Ditën e Katërt

Të enjten më 20 maj vazhdoi për të katërtën ditë rresht greva e punëtorëve të minierave të Aseminoon Faryab në qytetin Manoojan, në jug të provincës Kerman, grevë e cila kishte filluar të hënën më 17 maj. Të hënën, ata protestuan kundër faktit që nuk u janë paguar rrogat dhe benefitet, dhe u grumbulluan përpara zyrës së guvernatorit të Manoojan, duke kërkuar shkarkimin e guvernatorit. Ata thërrisnin: “Turp të ketë guvernatori, zhduku.”

Pas këtyre protestave, mëngjesin e të martës, 17 maj, punëtorët u mblodhën jashtë tunelit në autostradën Kahnooj-Bandar Abbas duke e bllokuar plotësisht rrugën. Në solidaritet, banorët vendas iu bashkuan punëtorëve protestues. Njësitë speciale anti-rebelim të regjimit u dërguan në vendin e tubimit për t’i shtypur protestat dhe për të mos lejuar përhapjen e tyre. Por punëtorët, duke i shpërfillur veprimet dhe kërcënimet e regjimit, i vazhduan protestat dhe e kaluan natën në tunelin Manoojan në mënyrë që të vazhdonin ta bllokonin rrugën Kahnooj-Bandar Abbas.

Të enjten, 20 maj, populli dhe familjarët e punëtorëve marshuan dhe protestuan jashtë zyrës së udhëheqësit të lutjeve të së premtes të regjimit në Asminoon. Në të njëjtën ditë, në solidaritet me punëtorët protestues, banorët e Nodej (provinca Kerman) u mblodhën gjithashtu përpara bashkisë dhe institucioneve të tjera të qeverisë.