Friday, January 27, 2023

Zgjedhjet në Iran 2021: Kandidatët e Regjimit Pasqyrojnë një Trashëgimi Represioni të Dhunshëm

Javën e shkuar mori fund regjistrimi për farsën e zgjedhjeve presidenciale të regjimit iranian, dhe supozohet gjerësisht që Ebrahim Raisi do ta kryesojë garën. Gjykatësi klerikal dhe kreu aktual i Gjyqësorit iranian besohet se është kandidati i parapëlqyer i Liderit Suprem Ali Khamenei, dhe si rezultat, disa kandidatë të tjerë prospektivë kanë lënë të kuptohet se janë të gatshëm të dalin nga gara dhe ta mbështesin atë. Nuk është e habitshme që asnjë figurë e sistemit nuk ka ngritur pikëpyetje lidhur me background-in e Raisi-t – gjë që thekson faktin që regjimi në tërësi e pranon trashëgiminë e tij të brutalitetit.

Entuziazmi i njohur i Raisi-t për ndëshkime trupore i ka dhënë atij reputacionin si një nga figurat më konservatore që mund të udhëheqë degën ekzekutive të qeverisë. Duke shërbyer për mbi dy vite si kryegjyqtar, ai e ka përforcuar këtë reputacion duke mbikëqyrur mbi 500 ekzekutime, si dhe torturimin e mijëra të burgosurve politikë, veçanërisht pas protestave mbarëkombëtare anti-qeveritare të nëntorit 2019.

Disa muaj pas asaj kryengritjeje, Amnesty International publikoi një raport me titull “Shkelje mbi Njerëzimin,” i cili jepte detaje mbi përdorimin sistematik të rrahjeve, goditjeve me kamxhik, shokut elektrik, djegieve kimike, ekzekutimeve të rreme, e kështu me radhë. Gjithashtu, kjo organizatë që mbron të drejtat njerëzore ka konfirmuar se mandati i Raisi-t si kryegjyqtar ka koinçiduar me një rritje të përdorimit të dënimit me vdekje, specifikisht si vegël për shtypjen e disidencës. Por ai nuk ka qenë aspak i vetmi që e ka rritur përdorimin e dhunës politike gjatë këtyre pak viteve të fundit. Veprimet e disa figurave të tjera udhëheqëse pasqyrojnë qartë mentalitetin konservator që do ta udhëheqë me siguri presidencën gjatë katër viteve të ardhshme, edhe nëse Raisi mposhtet nga një kandidat tjetër.

Nëse do të kishte një kandidat që do të mund ta bënte këtë, me shumë mundësi ai do të ishte Ali Larijani. Si anëtar i vjetër i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike,  ai është pjesë e grupimit më të madh ndonjëherë të kandidatëve presidencialë që përfaqësojnë këtë grup paramilitar konservator. Përpjekjet e tyre të përbashkëta për të siguruar presidencën flasin për një model më të gjerë veprimtarish i cili ka bërë që IRGC ta konsolidojë pushtetin e vet politik, shoqëror, dhe ekonomik me ndihmën e Liderit Suprem të regjimit, Ali Khamenei.

Lufta Iran-Irak bëri që shumë anëtarë të Gardës Revolucionare të mësoheshin me objektivin e këtij institucioni për ta eksportuar revolucionin islamik, dhe në rastin e Larijani-t, ky mision evoluoi më pas duke përfshirë përhapjen e propagandës dhe shtypjen e zërave disidentë, si kryetar i medias shtetërore, Islamic Republic of Iran Broadcasting. Për 10 vjet duke nisur që nga viti 1994, ai ndihmoi në kultivimin e klimës së censurës e cila mbetet edhe sot e kësaj dite në mbarë Iranin dhe vazhdon të gjejë shprehje të reja në epokën e rrjeteve sociale.

Gjatë kryengritjes së nëntorit 2019 dhe protestave të tjera në shkallë të gjerë të kohëve të fundit, ka patur raporte për ndërprerjen e plotë të internetit në zona të gjera të Iranit, dhe të paktën në një rast, në të gjithë vendin. Përpjekje të tilla për të kontrolluar diskursin publik pasqyrojnë trashëgiminë në vazhdim e sipër të censuruesve profesionalë si Larijani. Dhe ai nuk është i vetmi që është regjistruar si kandidat për farsën e zgjedhjeve presidenciale.

Edhe Ezzatollah Zarghami ka shërbyer si drejtor i IRIB për 10 vite, duke përfshirë mandatin e Larijani-t si kryetar i parlamentit. Pasi kishte shërbyer më përpara si transmetues në radio për IRGC-në, Zarghami me sa duket ishte entuziast për ta aplikuar trajnimin e tij paramilitar në rolin që kishte në mediat shtetërore, dhe kështu, nga viti 2004 e në vazhdim, pati një rritje të dukshme në numrin e rasteve të transmetimit nga IRIB të videove të rrëfimeve të rreme nga aktivistë e disidentë. Kjo praktikë vazhdon edhe sot, dhe mori një vëmendje të veçantë vitin e shkuar me ekzekutimin e kampionit të mundjes, Navid Afkari, i cili ishte torturuar së bashku me vëllezërit e tij pasi kishte marrë pjesë në kryengritje anti-qeveritare, dhe më pas u ekzekutua për një vrasje që nuk mund ta ketë kryer ai.

Vdekja e Afkari-t hodhi dritë të mëtejshme mbi urrejtjen e hapur të gjyqësorit për të drejtat njerëzore nën udhëheqjen e Raisi-t. Dhe përtej kësaj, tregoi edhe vazhdimësinë që ekziston midis obsesionit të këtij organi me disidentët dhe mentalitetit të ngjashëm që gjendet mes oficerëve të IRGC-së, mediave shtetërore, dhe institucioneve e individëve të tjerë udhëheqës të regjimit.

Ky represion është shfaqur qartë edhe përpara se të dilnin raportet mbi torturat sistematike. Ndërkohë që gjyqësori mori përsipër ta vazhdonte presionin mbi aktivistët, ishin IRGC ata që përgatitën terrenin gjatë kryengritjes së 2019-ës kur, brenda vetëm pak ditësh, qëlluan për vdekje rreth 1,500 protestues paqësorë e kalimtarë të pafajshëm. Ndonëse zyrtarët iranianë kanë tentuar ta minimizojnë si incident, Amnesty International ka konfirmuar se, kur pushkatarët e IRGC hapnin zjarr mbi turmat e njerëzve në dhjetëra lokalitete të ndryshme, ata gjuanin me qëllimin për të vrarë.

Tani regjimi ka përqafuar kandidimin e një numri të paprecedent njerëzish statusi i të cilëve brenda IRGC-së nënkupton që janë të lidhur tepër ngusht me këtë krim, si dhe krime të tjera kundër njerëzimit. Duke vepruar kështu, autoritetet iraniane lënë të kuptohen dy gjëra: se ata nuk kanë asnjë ndjenjë turpi apo keqardhjeje për sa i përket sulmeve mbi popullin e vet, dhe se kanë shumë pak frikë nga pasojat që mund t’u vijnë nga komuniteti ndërkombëtar për incidente të tilla.

Ky mesazh i fundit bëhet edhe më shqetësues kur merr parasysh që tentativat për ta shtypur opozitën demokratike në fakt i kanë kapërcyer kufijtë e Iranit. Në qershor 2018, rreth gjashtë muaj pas protestave mbarëkombëtare, katër operativë iranianë, përfshirë një diplomat të lartë, u kapën në tentativë për të shpërthyer një bombë në tubimin për një “Iran të Lirë,” tubim i cili ishte organizuar jashtë Parisit nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit.

Ky komplot terrorist ishte në fakt vetëm një mes disa komploteve të zbuluara po atë vit, dhe ndjekja penale e diplomatit terrorist Assadollah Assadi tregoi se ai kishte kultivuar një rrjet operativësh të përhapur në një pjesë të madhe të Europës.

Kushdo që të jetë presidenti i ardhshëm i Iranit, Raisi, Larijani, apo dikush tjetër, nuk ka dyshim që ai do ta mbështesë operimin e vazhduar të këtij rrjeti terrorist, ashtu siç do të mbështesë edhe vazhdimin e shtypjes mbi ata që kërkojnë një alternativë demokratike brenda vendit. Me këtë gjë në mendje, politikë-bërësit perëndimorë duhet t’i shmangen përsëritjes së gabimit të vitit 2013, kur shumë supozuan se çështjet e Iranit do të përmirësoheshin pas fitores në zgjedhje nga më pak i ligu i një vargu të ligjsh. Kjo ishte naive atëherë, dhe është edhe më naive tani kur konflikti midis regjimit iranian dhe popullit të tij është përshkallëzuar në mënyrë dramatike.

Nuk ka asnjë “reformist” në sistemin iranian. Nëse politikë-bërësit perëndimorë duan të mbështesin dikë në këtë garë, kjo mbështetje duhet të jetë për ata aktivistë iranianë që po i nxisin bashkatdhetarët e tyre për t’i bojkotuar krejtësisht zgjedhjet dhe për ta bërë të qartë që vota e tyre “është për ndryshim regjimi.”