Wednesday, February 8, 2023

 Zëvendës Ministri i Shëndetit Pranon Mungesën e Doktorëve në Iran

Irani po vuan nga një “mungesë serioze mjekësh”, sipas Zëvendës Ministrit të Shëndetit, pasi mijëra mjekë vendas kanë emigruar.

Iraj Harirchi tha për Agjensinë shtetërore të Lajmeve të Studentëve të Iranit (ISNA): “Për çdo 1,000 iranianë, ka vetëm 1.6 mjekë të përgjithshëm, dentistë, dhe specialistë, ndërkohë që shifra më e pakët që duhet për të plotësuar nevojat e vendit duhet të jetë 2.5 doktorë për 1,000 persona.”

Raporti i mjekëve ndaj popullsisë është një prej kritereve që përcaktojnë zhvillimin e një vendi në sektorin e shëndetit, ku dendësia e punonjësve të shëndetit, duke përfshirë mjekët, infermierët dhe mamitë, si dhe punonjësit e shëndetit publik, tregojnë disponueshmërinë e personelit mjekësor.

Organizata Botërore e Shëndetit (ËHO) llogarit që një vendi i duhen të paktën 2.5 mjekë, infermierë dhe mami për 1,000 njerëz në mënyrë që njerëzit të marrin kujdesin e duhur parësor.

Harirchi ka thënë më parë se rreth 15,000 mjekë në Iran nuk e praktikojnë më profesionin për shkak të presioneve që ushtrohen mbi ta, dhe shumë prej tyre kanë emigruar ose kanë ndryshuar punë. Në 2016-ën, u raportua nga agjensitë iraniane të lajmeve se 1,980 mjekë kishin ikur nga vendi në vitet 2014 e 2015.

Ndërkohë, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetit raportojnë se mbi 1,000 infermierë ikin nga Irani çdo vit. Kryetari i Komisionit të Shëndetit në Parlament, Heidarali Abedi, ka thënë se Irani po vuan nga një mungesë prej gati 100,000 infermierësh.

Abedi i tha komisionit në nëntor se, ndërkohë që ekspertët e menaxhimit të kujdesit shëndetësor rekomandojnë një raport prej 2.5 të infermierëve për shtrat, raporti aktual i Iranit është më afër shifrës 1.7. Ai tha se ka vetëm 89,000 infermierë që punojnë aktualisht në spitalet iraniane, por vendit i duhen dhjetëra mijëra më shumë.

Abedi, deputet i regjimit nga Isfahani, tha se kjo mungesë nënkupton që shumica e infermierëve punojnë mesatarisht 150 orë shtesë në vit.

Një nga arsyet për këtë mungesë është se infermierët largohen për në vende të tjera për të përfitura pagë dhe kushte pune më të mira, sipas Zëvendës Presidentit të Organizatës Iraniane të Infermierëve, Mohammad Sharifi Moqddam.

Ai thotë: “Shumica e infermierëve iranianë emigrojnë për në Australi, Kanada, Britani, Hollandë, dhe Zvicër.”

Megjithatë, shumë infermierë tërhiqen gjithashtu nga Turqia dhe vendet e Gjirit Persik.

Infermierët iranianë, të cilët kanë bërë vazhdimisht greva kundër kushteve të punës, janë veçanërisht të pakënaqur nga një plan qeveritar i quajtur “Zhvillim i Shëndetit”, i cili ia ka rritur tre-fish pagën mjekëve, por nuk ka bërë ndonjë rritje të konsiderueshme në pagën e infermierëve.

Për shkak të diskriminimit dhe pavëmendjes nga zyrtarët e Ministrisë së Shëndetit të regjimit, shumë infermierë iranianë janë pa punë pavarësisht se kanë mbaruar shkollën. Shumë të tjerë punojnë për kompani të ndryshme ose japin mësim nëpër shkolla, me rroga poshtë pagës së infermierëve. Ka edhe infermierë që detyrohen të largohen nga vendi për punë.

Më 30 maj 2018, Sharifi Moqddam tha për agjensinë shtetërore të lajmeve ILNA: “Në të gjithë botën jepen stimuj për punë kaq stresuese. Një nga arsyet pse infermierët iranianë përpiqen të largohen nga vendi për të punuar jashtë pavarësisht se detyrohen të jenë larg shtëpisë e familjes është se nuk marrin vëmendjen që meritojnë.”

“Ajo që i ka irrituar infermierët është diskriminimi,” pohoi Sharifi-Moghadam, duke shtuar “kur infermierët bëhen subjekt i një diskriminimi kaq të madh, ata preferojnë ta lënë punën dhe të rrinë në shtëpi. Ja pse numri i infermierëve që kanë lënë punën është më i lartë se i atyre që emigrojnë jashtë vendit.”