Thursday, February 9, 2023

Mësuesit iranianë në disa qytete zhvillojnë protesta në të njëjtën kohë

 

Të dielën, mësuesit në të paktën 20 qytete të Iranit iu bashkuan një tubimi mbarëkombëtar për të protestuar kundër mospërgjigjes së regjimit iranian ndaj kërkesave të tyre të shumta.

Qytetet që u janë bashkuar protestave përfshijnë Teheranin, Isfahanin, Tabrizin, Mashhadin, Shirazin, Sanandaj-in, Karaj-in, Qazvinin, Marivanin, Yazdin, Hamedanin, Kermanshahun, Babolin, Iranshahr-in, Torbat-e Heydarieh-un, Jolfa-n, Saqqez-in e të tjerë.

Mësuesit iranianë kanë protestuar rregullisht për të drejtat e tyre, sidomos vitin e shkuar ndërkohë që segmente të ndryshme të shoqërisë iraniane kanë protestuar kundër telasheve ekonomike, korrupsionit qeveritar dhe mungesës së lirisë politike.

 

 

 

Mësuesit në Karaj mbështesin protestat mbarëkombëtare të mësuesve iranianë

 

Mësuesit kërkojnë rroga më të mira, arsimim falas për të gjithë, respekt për të drejtat e minoriteteve dhe anullimin e disa planeve të qeverisë që rëndojnë edhe më shumë mbi kushtet e këqija të jetesës së punonjësve të arsimit në vend. Ndërkohë që regjimi po diskuton buxhetin për vitin e ardhshëm iranian (që nis më 21 mars), mësuesit e punësuar dhe ata pensionistë ankohen se për sektorin e arsimit nuk po ndahen fonde të mjaftueshme.

Mësuesti protestues kërkojnë gjithashtu lirimin e disa aktivistëve të të drejtave të mësuesve, të cilët janë burgosur nga forcat e sigurisë për faktin se kanë mbrojtur të drejtat e mësuesve të paprivilegjuar.

 

 

 

Mësuesit në Qazvin mbështesin protestat mbarëkombëtare të mësuesve iranianë

 

Vlen të përmendet se gjatë vitit të shkuar, mësuesit iranianë kanë mbajtur rregullisht demonstrata për të fituar të drejtat dhe kërkesat e tyre bazë. Në 2018-ën, mësuesit në mbarë Iranin organizuan dhe zhvilluan greva në disa raste.

Në tre prej këtyre rasteve, në maj, tetor dhe nëntor, mësuesit në disa qytete iraniane mbajtën greva që zgjatën disa ditë.

Në dhjetor, mësuesit dhe studentët zhvilluan demonstrata të padeklaruara në Hamedan dhe Kermanshah në të njëjtën kohë. Pak ditë më vonë, protesta të ngjashme shpërthyen në Yazd dhe Isfahan, të cilat morën një vëmendje të madhe nga mediat online. Mësuesit e Isfahanit i vazhduan demonstratat për disa ditë edhe pse forcat e sigurisë u përpoqën t’i shuanin ato duke marrë masa të rënda ndaj protestuesve dhe duke i sulmuar me shkopinj e spërkatës djegës.

Trimëria dhe guximi i vazhdueshëm i mësuesve u përhapën në qytete të tjera. Nga fundi i dhjetorit, mësuesit në Tabriz zhvilluan protesta dhe nuk i lejuan forcat e sigurisë ta ndalnin lëvizjen e tyre.

Në janar dhe shkurt, mësuesit iranianë mbajtën vazhdimisht protesta në qytete të ndryshme. Protestat aktuale, të cilat janë deklaruar dhe organizuar që më parë përmes mediave sociale, do të vazhdojnë për tre ditë.

Ndërsa demonstratat dhe protestat marrin të përpjetën në sektorë të ndryshëm të shoqërisë iraniane, regjimi ndihet gjithnjë e më i paaftë për ta mbajtur nën kontroll pushtetin dhe për të mbytur zërin e drejtësisë.

 

 

 

Mësuesit në Yazd mbështesin protestat mbarëkombëtare të mësuesve iranianë