Wednesday, February 8, 2023

Irani Rrah me Kamxhik Pesë Aktivistë Paqësorë dhe të Burgosur Politikë në 10 Ditë

 

Foto fajli – Rrahja me kamxhik në publik më 10 korrik 2018 e një të riu të dënuar për konsumim alkooli. Dënimi me kamxhik u krye në Sheshin Niazmand, Kashmar, provinca Razavi Khorasan, ku këtë person, të njohur thjesht si M. R., e goditën 80 herë në shpinë.

Regjimi iranian ka rrahur me kamxhik pesë të burgosur politikë dhe aktivistë paqësorë në qershor.
Të gjithë ata që janë rrahur janë njerëz të arrestuar për veprimtari paqësore apo për ushtrimin e të drejtës së tyre për liri shprehjeje.
Të hënën, më 8 qershor, u krye dënimi me kamxhik për Mohamamd Bagher Souri, i arrestuar gjatë protestave mbarëkombëtare të nëntorit 2019, në Burgun e Teheranit të Madh.
Souri ishte dënuar me pesë vite burg dhe 80 goditje me kamxhik. Ai u godit 35 herë nga njëri prej rojave të burgut. Pas goditjeve, ai kishte plagë në shpinë e në shputat e këmbëve.
Në të njëjtën ditë, dy persona i rrahën me kamxhik për pjesëmarrjen e tyre në protestat e nëntorit 2019 në qytetin Urmia të Iranit veri-perëndimor. Aktivistët e të drejtave njerëzore nga Azerbaixhani, Ali Azizi dhe Eliar Hosseinzadeh, morën 20 goditje për “prishje të rendit publik”.
Më 5 qershor, një person në Iranin jug-perëndimor e rrahën me kamxhik 55 herë për faktin që e kishte kritikuar dhe kishte “refuzuar t’i kërkonte falje” përfaqësuesit lokal të Udhëheqësit Suprem të regjimit.
Ruhollah Barzin, i cili punon në një furrë buke në Charam, në provincën Kohgiluyeh dhe Boyer-Ahmad, është rrahur me kamxhik për shkak të ankesave nga Seyed Nourallah Afshar, kryetari i lutjeve të së premtes në Charam.
Në një intervistë me të përditshmen shtetërore Tabnak, kleriku e konsideroi implementimin e dënimit me kamxhik si pjesë të të drejtave të tij civile dhe tha se nuk e tërhiqte ankesën e tij pasi “i riu ka refuzuar të kërkojë falje”.

Si palë në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR), Irani është i detyruar ligjërisht ta ndalojë torturën dhe trajtimet apo ndëshkimet e tjera mizore, çnjerëzore apo poshtëruese. Megjithatë, ligji iranian vazhdon t’i lejojë ndëshkimet trupore të ndaluara ndërkombëtarisht si amputimi, gjuajtja me gurë dhe rrahja me kamxhik dhe i justifikon ato në emër të mbrojtjes së moralit fetar.
Për më tepër, regjimi i dënon rregullisht me kamxhik protestuesit dhe disidentët.