Monday, February 6, 2023

Misogjinia e Institucionalizuar në ligjet e regjimit të mullahëve që sundojnë Iranin

“Misogjinia e Institucionalizuar në ligjet e regjimit të mullahëve që sundojnë Iranin,” është titulli i një dokumenti të përgatitur nga Komiteti i Grave i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, dokument i cili shqyrton shkurtimisht ligjet misogjiniste të regjimit klerikal në Iran.

I ashtu-quajturi regjim i Republikës “Islamike” ka sunduar në Iran për rreth 40 vite me interpretimin e tij të shtrembër e të prapambetur të Islamit. Që nga fillimi i sundimit të tij, regjimi i ka patur themelet në nënshtrimin, përjashtimin dhe poshtërimin e grave iraniane.

Jehona e thirrjeve të grave iraniane gjatë revolucionit anti-monarkik dëgjohej ende kur, në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare të Gruas në 1979-ën, Khomeini ndërmori hapin e parë në shtypjen e grave duke deklaruar se mbajtja e hijab-it (mbulimi) ishte i detyrueshëm për të gjitha punonjëset femra të qeverisë. Vagabondët e huliganët e mbështetur nga qeveria turreshin nëpër rrugë, duke bërtitur me slloganin famëkeq “ose shaminë, ose grusht kokës” për t’i poshtëruar e terrorizuar gratë dhe publikun në përgjithësi, duke përgatitur terrenin për imponimin e kodit të ri të veshjes.

Kjo analizë e shkurtër pasqyron vetëm një pikë uji nga një oqean. Për një studim të hollësishëm të ligjeve misogjiniste të regjimit mesjetar që sundon Iranin duhen libra të tërë.

Të gjitha ligjet e regjimit klerikal janë të mbushura me një armiqësi histerike ndaj grave, në arsim, veshje e mbulim, martesë, divorc, trashëgimi dhe në segregacionin në autobusë, vende pune, etj. Duket që mullahët fondamentalistë përpiqen t’i kthejnë prapa rrotat e historisë.

Ka gjithashtu shumë probleme të tjera që nuk i kemi prekur, si vajzat pa strehë që flenë nëpër kuti kartoni në rrugë, vajzat e arratisura nga shtëpia, gratë që detyrohen të bëjnë prostitucion për të ushqyer fëmijët e tyre.

“Misogjinia e Institucionalizuar në ligjet e regjimit të mullahëve që sundojnë Iranin” është publikuar për herë të parë në nëntor 2015. Është përditësuar në maj 2020.