Situata e të Drejtave të Njeriut në Iran

401

Nga Struan Stevenson

Në një konferencë të titulluar Të Drejtat Njerëzore në Iran, e cila u mbajt në United Nations- Palais des Nations në Gjenevë më 7 mars 2019, z. Stevenson, Koordinator i Fushatës për Ndryshimin e Iranit (CiC) dhe ish-anëtar i Parlamentit Europian ku përfaqësonte Skocinë (1999-2014) mbajti fjalimin e mëposhtëm mbi situatën e rëndë të të Drejtave të Njeriut në Iran.

Pas 40 vitesh diktaturë brutale klerikale, sot, 80 milion iranianë nuk mund të durojnë më. Protesta mbarëkombëtare që përfshijnë qindra mijëra qytetarë iranianë, kanë shpërthyer për më shumë se 14 muaj në qytetet e Iranit. Burra, gra, studentë, mësues, shoferë kamionësh, punëtorë të sheqerit, pronarë biznesesh dhe pensionistë kanë dalë nëpër rrugë për të protestuar ndaj dhunës dhe vjedhjeve të regjimit fashist klerikal i cili ka plaçkitur pasurinë e Iranit, ka shtypur popullin e vet dhe ka ndezur luftëra në mbarë Lindjen e Mesme. Klasa e mesme në Iran është virtualisht e zhdukur. Varfëria është përhapur gjithandej. Njerëzit tashmë mezi ia dalin të ushqejnë familjet e tyre, në rrethanat e ndërprerjeve të elektricitetit e mungesave të ujit, rritjes së çmimeve të ushqimit dhe rrogave të papaguara.

Në vend që të përpiqen ta ndreqin ekonominë e thyer të Iranit, mullahët kanë përdorur ekuivalentin e tyre të Gestapos, Trupat e Gardës Revolucionare iraniane (IRGC), për të shtypur demonstruesit, duke vrarë me dhjetëra e duke arrestuar mbi dhjetë mijë njerëz. Por populli iranian e ka humbur frikën. Ai po kërkon haptazi ndryshimin e regjimit. Irani është vendi më represiv në Lindjen e Mesme. Ai ekzekuton më shumë njerëz, për kapita, se çdo vend tjetër në botë. Këtu kemi një regjim që torturon, përdhunon, sodomizon dhe ekzekuton të burgosurit politikë. Një regjim që rrah me kamxhik, godet me gurë, pret gjymtyrë, nxjerr sytë dhe var njerëz në publik. Një regjim që ka ekzekutuar mbi 4000 njerëz, duke përfshirë gra e fëmijë, që kur i ashtu-quajturi ‘i moderuar’ Hassan Rouhani u bë president. Kjo është një diktaturë që qeveris përmes korrupsionit, ryshfeteve, shantazhit, zhvatjes dhe frikës.

Në 1988-ën, regjimi masakroi mbi 30,000 të burgosur politikë, shumica prej tyre mbështetës e anëtarë të Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI ose MEK), në një barbarizëm të mirë-dokumentuar që është bërë tashmë temë e raporteve të Amnesty International dhe e hetimeve nga OKB. Autorët e asaj masakre mbajnë ende pozicione pushteti brenda regjimit sot. Shumë prej tyre janë mburrur madje për rolet që kanë patur në masakër. Ky është një regjim që i përdor ambasadat e tij si fabrika bombash e qeliza terroriste që komplotojnë për vrasje në Europë e në Amerikë, siç u vërtetuar nga arrestimi më 30 qershor të vitit të shkuar i Asadollah Assadi-t, një diplomat nga ambasada iraniane në Vienë. Assadi është akuzuar se u ka dorëzuar një bombë dy agjentëve iranianë, duke i udhëzuar ta shpërthenin në një tubim në Paris, të organizuar nga PMOI dhe Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), opozita kryesore demokratike kundër mullahëve.

Masa të ngjashme janë marrë kundër komploteve terroriste iraniane në Shtetet e Bashkuara, Danimarkë, Bullgari, Hollandë e disa vende të tjera europiane, të cilat kanë vendosur tani sanksione mbi regjimin iranian dhe i kanë përfshirë disa nga agjentët e tij në listën e zezë. Në dhjetor të vitit të shkuar, Kryeministri shqiptar Edi Rama, përjashtoi ambasadorin e Iranit dhe Sekretarin e parë duke argumentuar se ata përbënin rrezik për sigurinë e Shqipërisë.

Ta paqësosh e t’i përulesh kësaj diktature brutale është një gabim historik dhe një tradhëti ndaj popullit iranian. Mullahët duhet të vihen para përgjegjësisë për krimet e tyre. Ata nuk mund të lejohen të përfitojnë nga pandëshkueshmëria. Fokusi i botës së qytetëruar sot është tek Kombet e Bashkuara. Ju lutem dëgjojini thirrjet e miliona të shtypurve në Iran.