Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
Në një mesazh me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas 2019, znj. Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), theksoi rëndësinë e përpjekjes së grave iraniane për liri dhe rolin kryesor që ato po luajnë në udhëheqjen e protestave dhe kryengritjeve në Iran. Më poshtë vijon një fragment nga mesazhi i saj:
Regjimi klerikal është armiku i grave dhe pengesa kryesore kundër lirisë dhe barazisë.
8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e Gruas. Ne e festojmë këtë ditë duke shprehur admirim për motrat e mia të dashura në Iran dhe në të gjithë botën. I përshëndesim ato që kanë hyrë në histori për luftën e grave për barazi dhe liri përmes vuajtjeve e sakrificave të tyre.
Gratë iraniane janë krenare që kanë luftuar kundër tiranisë së urryer fetare për dyzet vjet, që nga dita e parë e deri më sot. Ato kanë krijuar një lëvizje të lavdishme rezistence.
Falë kësaj përpjekjeje dhe këmbënguljeje, Dita e Gruas për gratë iraniane nuk vjen vetëm më 8 mars por shënohet në çdo ditë të kalendarit.
8 Marsi nuk është vetëm një ditë për të shprehur zemërim dhe protestë kundër pabarazisë dhe diskriminimit gjinor. Është gjithashtu një ditë për të respektuar gratë që janë ngritur kundër padrejtësisë, gratë që i kanë bërë të mundura gjërat që dukeshin të pamundura në rrugën drejt lirisë dhe barazisë.
Sot, gratë janë të pranishme në radhët e atyre që angazhohen në protesta e kryengritje të studentëve, mësuesve, punëtorëve, fermerëve dhe pensionistëve. Përpjekja e tyre do të vazhdojë derisa ky regjim të çrrënjoset.
Khamenei dhe regjimi i tij nuk kanë zgjidhje tjetër përballë përpjekjes së grave dhe protestave të tyre në rritje, përveç se të nxjerrin kamat e dhëmbët e tyre njollosur me gjak. Khamenei dëshiron të emërojë një nga autorët më famëkeqë të masakrës së 30,000 të burgosurve politikë në 1988-ën si kryetar të drejtësisë së regjimit. Shumë nga 30,000 viktimat kanë qenë gra.
Megjithatë emërimi i këtij lakeu të urryer nuk mund ta kapërcejë rënien e moralit dhe dobësinë e të gjithë regjimit përballë lëvizjes protestuese të popullit iranian.
Gjatë vitit të shkuar, përsëri, mijëra gra janë arrestuar në mbarë Iranin nën pretekstin e “keq-mbulimit” dhe janë ngacmuar e frikësuar.
Regjimi klerikal është krye-armiku i grave dhe pengesa kryesore kundër lirisë dhe barazisë. Prandaj, si hap i parë, çdo përpjekje dhe lëvizje për liri e barazi kalon përmes përmbysjes së tiranisë fetare.
Përqasja e dytë që do të sjellë fitoren për gratë është solidariteti dhe veprimi kolektiv. Ky është çelësi i progresit dhe do të kontribuojë në lulëzimin e kreativitetit. Do të shumëfishojë gjithashtu aftësitë duke margjinalizuar frikërat dhe pamjaftueshmëritë.
Përqasja e tretë është ndryshimi i pikëpamjeve dhe rebelimi kundër zakoneve dhe detyrimeve të imponuara.
Ne duhet të luftojmë jo vetëm për atë që është e mundshme, por për atë që duhet të jetë. Dhe në këtë rrugë, ndryshimi i mendësisë dhe çrrënjosja e besimeve të vetë grave është një hap i rëndësishëm dhe jashtëzakonisht i nevojshëm.
Ngritja, kërkimi për vlera të reja dhe zbulimi i potencialeve të vetes e të tjerëve në një përpjekje kolektive plotëson më tej planin strategjik të luftës për liri e barazi.
Gratë e Rezistencës Iraniane kanë hapur një rrugë të re në këtë aspekt. Ato e shohin suksesin dhe përparimin e tyre si të varur nga përparimi kolektiv. Përpjekjet e tyre janë një mënyrë për përparimin dhe progresin e motrave të tyre të tjera.