Sot Ali Khamenei, udhëheqës i diktaturës fetare të Iranit, emëroi Ebrahim Raisi-n, një anëtar i Komitetit të Vdekjes gjatë masakrës së 30,000 të burgosurve politikë në 1988-ën, dhe një mbështetës i devotshëm i liderit suprem, si kryetar të drejtësisë së Iranit.
Raisi duhet t’i nënshtrohet ndjekjes penale ndërkombëtare për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit në masakrimin e të burgosurve politikë në vitin 1988, dhe të gjykohet për gjenocid të anëtarëve të PMOI-së. Caktimi i tij si autoriteti më i lartë gjyqësor i regjimit klerikal sinjalizon se do të ketë edhe më shumë represion nga regjimi klerikal kundër popullit dhe rezistencës iraniane. Khamenei e përshkroi emërimin e tij si një “epokë të re” dhe si “faza e dytë” e të ashtu-quajturit revolucion të regjimit, dhe e urdhëroi Raisi-n të mos “ua vërë veshin të huajve në çështjet gjyqësore.”
Në 1988-ën, Ajatollahu i Madh Hossein-Ali Montazeri, pasuesi i Khomeini-t në atë kohë, dhe klerik i një rangu më të lartë sesa Khamenei dhe ndjekësit e tij, thirri anëtarët e Komitetit të Vdekjes, duke përfshirë Raisi-n. Montazeri u foli atyre në një mbledhje që u regjistrua dhe u publikua më vonë, duke thënë, “Krimi më i madh i kryer në Republikën Islamike, për të cilin do të na dënojë historia, është kryer nga ju. Emrat tuaj do të mbeten në histori në të ardhmen si kriminelë.”
Përveç se ka kryer një krim madhor në masakrën e 1988-ës, Raisi është një klerik i një rangu të ulët pa kredencialet e duhura fetare. Ai është nën kontrollin e Khamenei-t dhe ka shërbyer në agjensitë represive të regjimit që në moshën njëzet vjeçare. Caktimi i tij si kryetar i drejtësisë së regjimit do të jetë i papranueshëm për shumë klerikë të lidhur me qeverinë. Gjatë zgjedhjeve të shtirura presidenciale në maj 2017, klerikët e zakonshëm të regjimit refuzuan ta mbështesnin Raisi-n pavarësisht presionit të Khamenei-t. Rouhani, i cili garoi kundër Raisi-t gjatë këtyre zgjedhjeve të shtirura, tha për Raisi-n se ai është një nga njerëzit që “ka njohur vetëm ekzekutime e burgje për 38 vjet.”
Khamenei, i cili ishte shumë i shqetësuar se si do të pritej nga publiku emërimi i Raisi-t, përgatiti terrenin duke shpërndarë thashetheme për një farë kohe. Megjithatë, pavarësisht reagimeve negative brenda e jashtë vendit, ai dha urdhër për caktimin e Raisi-t si kryetar i drejtësisë.
Emërimi i Raisi-t nga Khamenei vërteton edhe një herë se, si udhëheqës i regjimit klerikal të mbytur në krizë, ai nuk gjen zgjidhje tjetër veçse represionit të mëtejshëm në mënyrë që ta parandalojë krizën e vitit të ri iranian (që do të nisë më 21 mars 2019). Kështu Khamenei dëshiron ta mbrojë regjimin e tij klerikal kundër kryengritjes së popullit iranian dhe rezistencës së tij të organizuar për drejtësi e liri në Iran.
Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
7 Mars 2019