Fshehja e të vërtetës nga mullahët është shkaku kryesor i përhapjes së koronavirusit në Iran
Shkruar nga një Shkrimtar i Stafit më 25 shkurt 2020.
Thirrja e Znj. Rajavi drejtuar personelit mjekësor, organizatave ndërkombëtare:
Për të shpëtuar jetë njerëzish dhe për të mos e lejuar regjimin ta fshehë të vërtetën, bëjeni publik informacionin tuaj
Regjimi anti-njerëzor i mullahëve vazhdon ta fshehë shkallën e përhapjes së COVID-19 në Iran. Ai përhap informacione të rreme, refuzon të marrë masa parandaluese apo të shpërndajë pajisje mjekësore për të luftuar ndaj COVID-19, si dhe nuk i ka ndaluar udhëtimet për në Kinë.
Kjo përqasje ka shkaktuar përhapjen e shpejtë të virusit në pjesë të ndryshme të vendit, nga Irani qendror e verior në pjesët lindore, perëndimore e jugore të vendit. Ka rezultuar gjithashtu në një rritje dramatike të numrit të viktimave dhe në përhapjen e virusit në vendet fqinje të Iranit.
Banorët, mjekët dhe infermierët vendas thonë se, përveç Teheranit dhe Qom-it, ka patur humbje jetësh edhe në Tabriz, Isfahan, Najafabad, Kashan, Kermanshah, Rasht, Khorramabad e qytete të tjera.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga brenda dhe jashtë vendit, fluturimet e Mahan Air të IRGC-së drejt Kinës dhe nga Kina kanë vazhduar deri më sot, të martën, më 25 shkurt 2020.
Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), ka thënë se regjimi po përsërit të njëjtën narrativë për koronavirusin si ajo lidhur me rrëzimin e avionit ukrainas, megjithëse në shkallë shumë më të gjerë. Ajo u ka bërë thirrje mjekëve, infermierëve dhe stafit të spitaleve që t’i publikojnë informacionet e tyre shpejt në mënyrë që të shpëtojnë jetët e iranianëve dhe të mos e lejojnë regjimin ta fshehë të vërtetën e të shpërndajë informacione të rreme.
Znj. Rajavi ka theksuar se Kombet e Bashkuara, Organizata Botërore e Shëndetit, dhe organizatat e tjera ndërkombëtare të të drejtave njerëzore duhet ta detyrojnë fashizmin fetar që sundon Iranin që t’i bëjë publike të gjitha faktet dhe shifrat për sa i përket COVID-19 dhe t’ua japë ato organizatave përkatëse ndërkombëtare në mënyrë që të shpëtohen jetët e popullit të Iranit dhe të vendeve të tjera në rajon.
Ajo i nxit iranianët, sidomos të rinjtë, që të bëjnë protesta për ta detyruar regjimin të thotë të vërtetën dhe t’ua dorëzojë popullit, spitaleve dhe mjekëve burimet dhe pajisjet mjekësore e shëndetësore, të cilat janë të monopolizuara gjerësisht nga IRGC dhe agjencitë e sigurimit.
Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit
25 shkurt 2020