Shkruar nga Shkrimtar i Stafit më 06 nëntor 2019.
Më 4 nëntor 2019, Departamenti amerikan i Thesarit sanksionoi Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të regjimit iranian dhe nëntë individë, duke përfshirë Ebrahim Raisi-n, i cili ka qenë më parë anëtar i “komisioneve të vdekjes” që kanë qenë përgjegjëse për masakrën e 1988-ës ndaj mijëra të burgosurve politikë.
“Më përpara, kur mbante rolin si zëvendës prokuror i përgjithshëm i Teheranit, Raisi ka marrë pjesë në një të ashtu-quajtur ‘komision të vdekjes’ i cili jepte urdhrat për ekzekutimet jashtë-gjyqësore të mijëra të burgosurve politikë në 1988-ën,” lexon një komunikatë për shtyp e Departamentit të Thesarit.
“Në mënyrë specifike, veprimet tona sot kanë në shënjestër, pikë së pari, Ebrahim Raisi-n. Ai është kryegjyqtari i Iranit dhe është emëruar i tillë nga lideri suprem në mars 2019. Përpara këtij emërimi, Raisi ka qenë i përfshirë në shtypjen brutale të regjimit ndaj Revolucionit të Gjelbër dhe protestave që erdhën pas zgjedhjeve të falsifikuara të 2009-ës. Kur ishte zëvendës prokuror i përgjithshëm i Teheranit, Raisi mori pjesë në të ashtu-quajturin komision të vdekjes i cili jepte urdhrat për vrasjet jashtë-gjyqësore të mijëra – e përsëris, mijëra – të burgosurve politikë në 1988-ën. Mbikëqyrja e drejtësisë në Iran nga Raisi shërben për të vazhduar me abuzimet barbare ndaj të drejtave njerëzore në këtë vend,” tha një zyrtar i lartë i Administratës në konferencën e veçantë të Departamentit të Shtetit përmes telefonit.
Në 1988-ën, Ruhollah Khomeini, lideri suprem i atëhershëm i regjimit iranian, nxori një fatwa (urdhër fetar) për ta spastruar Iranin nga të burgosurit politikë. Brenda pak muajsh, autoritetet iraniane ekzekutuan 30,000 të burgosur politikë, kryesisht anëtarë e mbështetës të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK). Pas 31 vitesh, masakra e 1988-ës mbetet një krim i pandëshkuar kundër njerëzimit. Shumë zyrtarë aktualë të regjimit, duke përfshirë Kryegjyqtarin Ebrahim Raisi dhe Ministrin e Drejtësisë Alireza Avaei, kanë qenë të përfshirë direkt në dënimin dhe ekzekutimin e të burgosurve politikë.
Në dhjetor 2018, Amnesty International publikoi një raport prej 201 faqesh me titull “Sekrete të ngjyera në gjak: Pse masakrat e 1988-ës në burgjet e Iranit janë krime në vazhdim kundër njerëzimit.” Amnesty International i ka bërë thirrje OKB-së të nisë një hetim të pavarur në mënyrë që personat përgjegjës për këto krime të urryera të vihen përpara drejtësisë. Kjo organizatë shkruan, “Në fund të korrikut 1988 u krye papritmas një zhdukje e detyruar e mijëra disidentëve politikë që mbaheshin në burgjet e Iranit. Ata ishin kryesisht të rinj e të reja, disa thjesht adoleshentë, të burgosur padrejtësisht për shkak të opinioneve të tyre politike dhe veprimtarive politike jo të dhunshme…Autoritetet i kanë trajtuar këto vrasje si sekrete të shtetit…”
Falë iniciativave të znj. Maryam Rajavi, presidentes së zgjedhur të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), para tre vitesh u ndërmor një lëvizje e fuqishme e quajtur, “Thirrje për Drejtësi.” Kjo lëvizje gëzon mbështetje ndërkombëtare nga avokatë të spikatur, ekspertë të të drejtave njerëzore, dhe ish-zyrtarë të cilët i vijnë në ndihmë opozitës iraniane dhe PMOI/MEK-ut për t’i sjellë para drejtësisë autorët e masakrës së 1988-ës.
Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Dënimit me Vdekje, mbështetësit e MEK zhvilluan ceremoni në shumë vende europiane si në Mbretërinë e Bashkuar, Hollandë, dhe Francë, ku përkujtuan viktimat e masakrës.
Më 30 gusht, me rastin e 31-vjetorit të masakrës, u mbajt një konferencë dhe ekspozitë në Bashkinë e Distriktit të Parë të Parisit.
“Nuk duhet të vazhdojë më dhënia e imunitetit autorëve të masakrës së 1988-ës,” tha znj. Rajavi në një mesazh drejtuar konferencës në Paris.
Ajo vazhdoi: “31 vite më vonë, autorët e kësaj masakre vazhdojnë të jenë mes zyrtarëve më të lartë të regjimit iranian. Para pak muajsh, Khamenei caktoi një nga ekzekutuesit kryesorë të përfshirë në masakrën e 1988-ës si kryegjyqtar. Një tjetër ekzekutues është Ministri i Drejtësisë i Rouhani-t. Regjimi vazhdon gjithashtu ta refuzojë dhënien e informacioneve mbi viktimat e masakrës së 1988-ës dhe familjet e të masakruarve vazhdojnë të persekutohen. Ndonëse kanë kaluar 31 vite, ata nuk e dinë ende ku janë varrosur njerëzit e tyre,”
Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’u japë fund tre dekadave të pandëshkueshmërisë për liderët e regjimit klerikal të cilët duhet të japin llogari për krimet e tyre, si dhe t’ia referojë Këshillit të Sigurisë të OKB-së dosjen e shkeljeve të të drejtave njerëzore nga Irani, veçanërisht atë të masakrës së 1988-ës.
Znj. Rajavi theksoi se “Khamenei dhe liderë të tjerë të regjimit iranian duhet të përballen me drejtësinë për krimet e tyre kundër njerëzimit. Kombet e Bashkuara duhet të nisin një mision ndërkombëtar për të hetuar masakrën e 1988-ës në Iran. Dhe bota duhet ta njohë të drejtën e popullit iranian për të rezistuar e luftuar për rrëzimin e fashizmit fetar në pushtet.”