Friday, March 29, 2024

Pompeo i Quan Udhëheqësit e Regjimit Iranian ‘Burra të Shenjtë Hipokritë’

Pompeo i Quan Udhëheqësit e Regjimit Iranian 'Burra të Shenjtë Hipokritë'

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, të dielën i quajti udhëheqësit fetarë të Iranit “burra të shenjtë hipokritë” që kanë grumbulluar sasi të mëdha pasurie duke e lënë popullin e tyre të vuajë.

“Ndonjëherë duket sikur bota është bërë e pandjeshme ndaj autoritarizmit të regjimit brenda vendit dhe fushatave të dhunës jashtë vendit, por populli krenar iranian nuk po qëndron i heshtur përballë abuzimeve të shumta të qeverisë së tij,” tha Pompeo në një fjalim në Bibliotekën dhe Muzeumin Presidencial Ronald Reagan.

“Dhe as Shtetet e Bashkuara nën Presidentin Trump nuk do të qëndrojnë të heshtura. Nën dritën e këtyre protestave dhe 40 viteve të tiranisë së regjimit, unë kam një mesazh për popullin e Iranit: Shtetet e Bashkuara ju dëgjojnë. Shtetet e Bashkuara ju mbështesin. Shtetet e Bashkuara janë me ju,” tha ai.

Pompeo qortoi rëndë liderët politikë, gjyqësorë, dhe ushtarakë të Iranit, duke i akuzuar disa prej tyre me emra për pjesëmarrje në korrupsionin e përhapur. Ai tha gjithashtu se qeveria ka “shtypur mizorisht të drejtat njerëzore, dinjitetin dhe liritë themelore të popullit të vet.”

Diplomati me i larte i Amerikës ishte veçanërisht thumbues në komentet e tij për “Ajatollahët,” duke thënë se edhe ata “kanë gisht në këtë punë.” Ai tha se Ajatollahu i Madh Nasser Makarem Shirazi ka gjeneruar mbi $100 milion për vete në tregtinë e jashtëligjshme të sheqerit; se Ajatollahut Mohammad Emami Kashani i shkon vlera në miliona pasi qeveria transferoi disa miniera shumë fitimprurëse në fondacionin e tij; dhe se Udhëheqësi Suprem Ajatollah Khamenei ka një fond të paregjistruar, Setad, që shkon deri në $95 bilion.

“Niveli i korrupsionit dhe pasurisë së udhëheqësve të regjimit tregon se Irani drejtohet nga diçka që i ngjet mafias më shumë sesa një qeverie,” tha ai.

“Disa besojnë se Presidenti [Hassan] Rouhani dhe Ministri i Jashtëm [Mohammad Javad] Zarif janë si duhet,” tha ai. “E vërteta është se ata janë thjesht fytyra e jashtme e lustruar për mashtrimet ndërkombëtare të Ajatollahëve. Pakti i tyre bërthamor nuk i bëri të moderuar, por thëngjij të mbuluar.”

Komentet e Pompeo-s i drejtoheshin pjesërisht iraniano-amerikanëve dhe iranianëve që jetojnë në SHBA. Ai i siguroi se administrata Trump ndan me ta ëndrrën për popullin e Iranit. Ai shprehu gjithashtu mbështetje për ata iranianë që kanë protestuar kundër veprimeve të qeverisë së tyre dhe përgjigjen e qeverisë e quajti “brutale”.

Ai tha se Bordi i Guvernatorëve të Transmetimit të SHBA po merr masa për t’i bërë bisht censurës së Internetit në Iran, dhe po krijon një kanal Farsi njëzet-e-katër-orësh në formatet televizion, radio, digjitale dhe të medias sociale, “në mënyrë që iranianët e thjeshtë brenda Iranit dhe në mbarë botën ta dinë se Amerika u qëndron pranë.”

“Ankesat specifike ndryshojnë nga njëra-tjetra. Por të gjithë ata që shprehin pakënaqësi kanë një gjë të përbashkët: janë trajtuar keq nga një regjim Revolucionar. Iranianët duan të qeverisen me dinjitet, përgjegjësi dhe respekt,” tha ai.

Pompeo tha se SHBA po ndërmerr një fushatë trysnie diplomatike dhe financiare për të ndërprerë fondet, duke u fokusuar në rivendosjen e sanksioneve mbi sektorët bankar dhe të energjisë. Presidenti Donald Trump e nxori Amerikën nga pakti bërthamor me Iranin në maj dhe sanksionet e para pritet të godasin më 4 gusht.

“Ne i kërkojmë çdo kombi, çdo kombi që është i lodhur nga sjellja destruktive e Republikës Islamike, të na bashkohet në fushatën tonë të trysnisë. Kjo thirrje është sidomos për aleatët tanë në Lindjen e Mesme dhe në Europë, njerëz që janë terrorizuar vetë nga veprimtaritë e këtij regjimi të dhunshëm për dekada të tëra,” tha ai.