Fushata e Shëmtuar Denigruese Kundër Opozitës Demokratike Iraniane PMOI (MEK), Përgatit Terrenin për Sulme Terroriste

1238

Publikuar më 03 shtator 2018.

 Nga Alejo Vidal-Quadras

Komiteti Ndërkombëtar në Kërkim të Drejtësisë (ISJ) ekspozon masat e intensifikuara të Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë  së regjimit iranian (MOIS) për të denigruar Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI ose MEK) në një përpjekje për të përgatitur terrenin për akte terroriste kundër opozitës kryesore demokratike ndaj diktaturës fetare që sundon Iranin.

Filmimi i fshehtë e i pashpallur nga Britaniku Channel 4, i rezidencës së refugjatëve iranianë – anëtarë të PMOI-së – në Shqipëri më 10 gusht, dhe publikimi i këtyre fotove në më pak se 24 orë, në uebsitet e ministrisë iraniane të inteligjencës të njohura si Iran-Interlink, ka shkaktuar shqetësim të madh për sigurinë e këtyre refugjatëve. Specifikisht, fakti që Channel 4 ka refuzuar t’i përgjigjet letrave të zëdhënësit të PMOI-së, një kopje e të cilave i është dërguar ISJ-së.

Tre javë pas vizitës së dyshimtë të Channel 4 në rezidencën e refugjatëve, Redaktorja e tij Ndërkombëtare Znj. Lindsey Hilsum ka njoftuar zëdhënësin e PMOI-së pardje, në një letër ku mungonte paanshmëria gazetareske, se kanë në plan të transmetojnë një raport për organizatën më 3 shtator. Pas një përmbledhjeje të pikave kryesore të programit, ajo kërkonte komente të shkruara nga PMOI.

Sipas letrës së Znj. Hilsum, programi do të përbëhet nga deklarata të rreme e shpifje kundër PMOI-së, të cilat i kemi dëgjuar vazhdimisht nga përfaqësuesit e regjimit iranian dhe nga agjentët e ministrisë iraniane të inteligjencës gjatë dy dekadave të fundit.

Nuk ka aspak etikë gazetareske fakti që, ndërkohë që për disa javë reporterja ka intervistuar një shumëllojshmëri agjentësh iranianë dhe ka filmuar në fshehtësi rezidencën e refugjatëve, në çastin e fundit dhe pak para transmetimit të programit, ajo i kërkon PMOI-së t’i përgjigjet këtyre gënjeshtrave dhe t’ia dërgojë përgjigjen këtij televizioni brenda një gjysmë dite pune.

Letra i është dërguar PMOI-së të premten më 31 gusht, dhe programi do të transmetohet të hënën më 3 shtator. Kjo gjë të kujton gjyqet sharlatane të diktaturës fetare në Iran ku një klerik i vetëm që vepron në të njëjtën kohë si gjykatës, prokuror dhe avokat, i jep të pandehurit vetëm dy mundësi: ose të pendohet, ose të shkojë tek trekëmbëshi.

Regjimi iranian, i përmbytur nga pakënaqësia e gjerë dhe nga kryengritjet popullore, si dhe duke qëndruar përballë izolimit ndërkombëtar gjithnjë në rritje, ka një nevojë të dëshpëruar për programe të ngjashme me atë të Britanikut Channel 4. Sidomos në një kohë kur komploti i tij terrorist kundër PMOI-së në Shqipëri në mars 2018, si dhe një tjetër komplot për të bombarduar tubimin masiv të opozitës iraniane në Paris në qershor 2018 janë parandaluar nga agjensitë europiane të sigurisë. Një ‘diplomat’ iranian terrorist është arrestuar në Gjermani në korrik 2018 dhe dy agjentë të regjimit iranian që spiunonin kundër PMOI-së në Shtetet e Bashkuara, janë arrestuar në gusht 2018. Vetëm javën e shkuar, rrjeti kibernetik i mullahëve të Teheranit, i cili pomponte informacion të rremë dhe keqinformonte politikat ndërkombëtare, u ekspozua dhe qindra llogari u bllokuan nga Facebook, Twitter, Instagram, Google Plus dhe YouTube me akuzën e “manipulimit të koordinuar” të medias. Ministria e Jashtme Franceze pak ditë më parë u kërkoi diplomatëve të saj të mos udhëtonin për në Iran pasi imuniteti i tyre diplomatik nuk mund të garantohet.

Të gjitha pretendimet në letrën e Znj. Hilsum kundër PMOI-së janë gënjeshtra të njohura të cilat i kemi dëgjuar gjatë dy dekadave të fundit. Këto gënjeshtra i kemi hetuar në të shkuarën. Presidenti i ISJ, Dr. Alejo Vidal-Quadras, në postin e tij të mëparshëm si Zëvendës-President i Parlamentit Europian (1999-2014) plus një numër i madh parlamentarësh e personalitetesh të tjera politike, e kanë vizituar vazhdimisht Kampin Ashraf midis viteve 2003 dhe 2009; dhe që nga viti 2013, ata i kanë vizituar vendbanimet e PMOI-së në Shqipëri, dhe janë takuar personalisht e në mënyrë të drejtpërdrejte me ta. Jemi në dijeni të plotë të të gjitha pretendimeve të prezantuara në letrën e Znj. Hilsum, pretendime të cilat kemi vërtetuar se janë absolutisht të rreme.

Për shembull, jemi takuar me Znj. Somayeh Mohammadi, babai i së cilës, Mostafa Mohammadi, është një nga subjektet kryesore të programit të Channel 4. Jemi takuar me të si në Kampin Ashraf, Irak nga 2005 në 2008, ashtu edhe në Shqipëri pas vitit 2014 dhe kemi folur drejtpërdrejt me të. Kemi shqyrtuar gjithashtu dokumentet që tregojnë angazhimin e Mostafa Mohammadi-t me shërbimet iraniane të inteligjencës. Raporti i Znj. Hilsum, i cili siç duket nga letra e saj, pretendon se Znj. Mohammadi mbahet në Kampet e PMOI-së kundër vullnetit të saj, praktikisht është pjesë e bashkëpunimit në torturën psikologjike të Znj. Mohammadi. Znj. Hilsum thjesht i mbyll sytë para faktit që edhe gjykatat irakene nën sundimin e Maliki-t e kanë refuzuar pretendimin e Mostafa Mohammadi-t se e bija mbahej me forcë nga PMOI. Ajo i mbyll sytë edhe para faktit që zyrtarët amerikanë, UNHCR, UNAMI, Kryqi i Kuq, dhe delegacionet europiane e parlamentarë të tjerë, e kanë intervistuar Znj. Mohammadi në Kampet Ashraf dhe Liberty në Irak, si dhe në Shqipëri, dhe ajo ka thënë në mënyrë plotësisht të qartë se nuk donte ta takonte të atin, i cili tani është agjent i Ministrisë Iraniane të Inteligjencës. Znj. Hilsum e ka shpërfillur faktin se autoritetet kanadeze kanë insistuar që Znj. Mohammadi kishte qëndruar me dëshirën e saj në Kampin Ashraf në Irak. Përveç gjithë këtyre gjërave, prokurori shqiptar në gusht 2018 e ka refuzuar kallëzimin e Mostafa Mohammadi-t i cili ishte ankuar se e bija ishte rrëmbyer e marrë peng nga PMOI, duke thënë se ajo është një grua 38-vjeçare e cila ka qëndruar në PMOI me vullnetin e saj të lirë.

Disa persona, të cilët i ndjekin nga afër praktikat e regjimit iranian, i shohin raporte të tilla si një parapagim për të siguruar lirimin e kombasve britanikë të mbajtur peng nga regjimi në Iran. Një qëndrim i tillë vetëm sa do ta trimërojë regjimin për të vazhduar me terrorizmin e tij jashtë vendit dhe me shtypjen e popullit brenda vendit.

Eksperienca ka treguar se qoftë në kampet Ashraf apo Liberty në Irak, qoftë në Shqipëri e në vende të tjera, një denigrim i tillë ka qenë parathënia e sulmeve ushtarake, me raketa, apo sulmeve terroriste me bomba kundër PMOI-së. Për këtë arsye, ISJ i kërkon Channel 4 të mos bjerë pre e komploteve të regjimit të mullahëve dhe të mos i hapë rrugën akteve të papenguara terroriste të mullahëve duke transmetuar një program të tillë.

Rreth ISJ:

Komiteti Ndërkombëtar në Kërkim të Drejtësisë (ISJ) u formua fillimisht në vitin 2008 si një grup informal parlamentarësh të BE-së për të kërkuar drejtësi për opozitën demokratike iraniane. Në 2014-ën, ai u regjistrua si një OJF jo-fitimprurëse në Bruksel dhe e zgjeroi anëtarësimin e tij përtej parlamentarëve të zgjedhur, duke përfshirë ish-zyrtarë e personalitete të tjera që kishin interes të promovonin të drejtat e njeriut, lirinë, demokracinë, paqen dhe stabilitetin. Fushatat e ISJ-së kanë gëzuar mbështetjen e mbi 4000 parlamentarëve nga të dyja anët e Atlantikut.

Presidenti: Alejo Vidal-Quadras, Zëvendës-President i Parlamentit Europian (1999-2014)