Shkruar nga Shahriar Kia
Aktivistët e opozitës iraniane kanë zbuluar për britaniken Daily Star një rrjet kampesh trajnimi të drejtuara nga regjimi iranian.
Dyshohet se këto baza ushtarake përdoren nga Forca Quds e Gardës Revolucionare (IRGC), shkruan Daily Star më 12 gusht 2019.
Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI) – një grup opozitar që bën thirrje për rrëzimin e regjimit – e ka zbuluar hartën për Daily Star Online.
Ekziston frika se Teherani i përdor këto kampe terroriste për të trajnuar “grupe proksi” të cilat kryejnë operacione në thellësi të Europës dhe në SHBA, thotë raporti.
Kjo vjen ndërkohë që tensionet kanë marrë flakë në Lindjen e Mesme ndërsa shpërbërja e të ashtu-quajturit pakt bërthamor ia ka hapur rrugën një lufte të re lidhur me anijet cisterna në Ngushticën e Hormuzit.
Raporti i Daily Star thotë:
Shahin Gobadi, zëdhënës i PMOI-së, ka shpjeguar se zyrat qendrore të këtyre forcave janë në bazën ushtarake Imam Ali.
Ai tha se aktivistë të opozitës kanë gjurmuar të ashtu-quajturën Drejtori Trajnimi të Forcës Quds – e cila mban emrin e koduar “12,000” në komunikimet e brendshme në Iran.
“Rezistenca iraniane ka identifikuar deri tani 14 qendra trajnimi që i përkasin kësaj drejtorie,” tha Gobadi.
Imam Ali përshkruhet si me madhësi 10 hektarë dhe me strehim të mjaftueshëm për “disa” garnizone të IRGC-së me bazë atje, sipas Gobadi-t.
PMOI ka paralajmëruar më përpara se do të ketë një “shtim” të veprimtarive terroriste iraniane mes krizës së vazhdueshme në rajon.
Zyrtarë të PMOI-së kanë përpiluar hartën e cila zbulon 14 zona të dyshuara nëpër Iran.
Tetë nga këto baza thuhet se janë me qendër në kryeqytetin Teheran.
KAMPET E TRAJNIMIT: Aktivistët thonë se Irani po trajnon terroristë brenda kufijve të tij (Fotoja: PMOI)
Dhe njëra është e bazuar në Ishullin Qeshm, i cili ndodhet në Ngushticën e Hormuzit.
Besohet se proksit terroristë iranianë janë përgjegjës për sulmet mbi pesë cisterna dhe një anije mallrash në Ngushticën e Hormuzit.
Kampe të tjera terroriste besohet se e kanë bazën në Ahvaz dhe Abadan të Iranit perëndimor.
Dhe dy të fundit thuhet se janë në Semnan të Iranit qendror, dhe Mashhad të Iranit lindor.
Irani është quajtur vazhdimisht “sponsori shtetëror numër një në botë i terrorit”.
SHBA e ka akuzuar gjithashtu në mënyrë direkte Iranin për trajnim të terroristëve në Lindjen e Mesme.
E ashtu-quajtura Forca Quds e Iranit – nën komandën e Gjeneralit Qassem Soleimani – i raporton direkt udhëheqësit suprem të regjimit fondamentalist, Ajatollah Ali Khamenei.
Llogaritet se kjo forcë shkon deri në 20,000 vetë dhe besohet se është përgjegjëse për mbështetjen dhe trajnimin e grupeve proksi në mbarë botën.
Besohet se Teherani ofron mbështetje materiale për forca në Arabinë Saudite, Siri, Afganistan dhe Liban.
Komplotet terroriste dhe të survejimit të lidhura me Iranin shtrihen përtej Lindjes së Mesme, duke arrtiur deri në Europë, të dy Amerikat, Azi dhe Afrikë.
Gobadi tha për Daily Star Online: “Komandanti i Quds raporton direkt tek Ali Khamenei, lideri suprem i regjimit.
“Në disa nga vendet e rajonit si Siria, Iraku, Libani, dhe Jemeni, forcat proksi të regjimit iranian janë përfshirë në mënyrë direkte në luftëra.
“Regjimi klerikal u ka ofruar atyre çdo lloj mbështetjeje financiare, materiale e logjistike, si dhe armë e trajnim, dhe në të vërtetë i komandon ato.
“Në disa vende të tjera si Bahrein dhe Arabia Saudite, përfshirja ka qenë në formën e trajnimit të terroristëve dhe dërgimit të tyre në këto vende për të kryer akte terrori dhe sabotazhi.”
Proksit iranianë kanë lidhje me incidente të ndodhura në Francë, Danimarkë, Gjermani, SHBA, Argjentinë, Tailandë, Nigeri e vende të tjera.
Zyrtarët e PMOI-së besojnë gjithashtu se Irani është i përfshirë tani në trajnimin e mercenarëve të huaj si pjesë e proksive.
Dhe një nga grupet më të mëdha të lidhura me regjimin iranian është Hezbollahu libanez, i cili ka lidhje me sulmet mbi forcat amerikane në vitet 1980.
Gobadi tha për Daily Star Online se llogaritet që regjimi iranian vazhdon t’i japë Hezbollahut rreth $1 bilion çdo vit.
Irani është gjithashtu i përfshirë në luftën në vazhdim në Jemen, dhe besohet nga PMOI se regjimi i mbështet rebelët Houthi të cilët kanë organizuar sulme të shumta mbi Arabinë Saudite.
Burimet britanike të sigurisë paralajmëruan më herët këtë vit për kërcënimin e vazhdueshëm që vjen nga proksit iranianë ndërsa Mbretëria e Bashkuar përfshihet në mosmarrëveshjet e Lindjes së Mesme.
Tensionet janë ndezur mes Britanisë dhe Iranit pas kapjes në formë hakmarrjeje të një anijeje cisternë, gjë që ka çuar në dërgimin e dy luftanijeve të Flotës Mbretërore në Gjirin Persik.
“Irani ka operativë të Hezbollahut në pozicion për të kryer sulme terroriste në rast të një konflikti. Është kjo natyra e kërcënimit që Irani paraqet për Mbretërinë e Bashkuar,” ka thënë një burim për Telegraph.
Irani dhe Britania kanë nisur mosmarrëveshjet që kur Flota Mbretërore ndaloi në mënyrë paqësore cisternën me flamur iranian Grace 1 ndërkohë që ajo lundronte pranë Gjibraltarit.
Grace 1 besohet se po transportonte naftë iraniane për në regjimin brutal të Sirisë duke shkelur kështu sanksionet e BE-së.
Teherani u përgjigj në mënyrë të xhindosur duke kapur cisternën Stena Impero, pavarësisht se luftanija britanike HMS Montrose u turr në ndihmë të cisternës.
Të dyja palët tani refuzojnë të dorëzohen, dhe sekretari i jashtëm britanik Dominic Raab ka refuzuar të negociojë me Iranin.
Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi një sulm të kufizuar mbi Iranin pas rrëzimit të një droni amerikan nga regjimi, por e anulloi në momentin e fundit.