Një anëtar i parlamentit të regjimit iranian nga Kermanshah ka thënë, “Për shkak të kostos së lartë të strehimit, shumë njerëz më kanë kontaktuar në emër të qytetarëve për t’u dhënë çadra për të jetuar nëpër parqe, çmimet nuk janë të kontrolluara, po vjen një problem kombëtar.”
Duke kritikuar rritjen e madhe të çmimit të strehimit në muajt e fundit, si dhe rritjen e çmimeve të hipotekimit dhe qirasë, Ahmad Safari, deputet i regjimit, tha për agjensinë shtetërore të lajmeve ICANA të dielën, “Kjo çështje ka krijuar një problem kaq të madh për njerëzit saqë nuk munden të paguajnë qira, deri në atë pikë sa shumë njerëz më kanë kontaktuar në emër të qytetarëve për t’u dhënë çadra nga Gjysmëhëna e Kuqe në mënyrë që të vazhdojnë të jetojnë nëpër parqe. Ky është bërë si problem kombëtar.”
Duke theksuar që ministritë e rrugëve dhe ndërtimit, të aseteve dhe punëve ekonomike, bashkitë, zyra e taksave e zyrtarë të tjerë duhet t’i kontrollojnë çmimet e strehimit, Safari shtoi, “Arsyeja kryesore për çmimet e larta të shtëpive e të qirave është mungesa e mbikëqyrjes mbi punën e agjensive të pasurive të paluajtshme për blerjen, hipotekimin dhe dhënien me qira të shtëpive, si dhe të kompanive të tjera të vogla e të mëdha, pasi ato i rrisin çmimet për të fituar më shumë nga kontratat pa ndonjë kriter specifik.”
Safari tha, “Edhe nëse në çdo qytet, nuk ka më shumë se 100 çadra, gjithsesi është turp për Republikën Islamike.”
Safari shtoi, “Deri vitin e shkuar, njerëzit mund të merrnin me qira një shtëpi për 25 milion rial, por tani, me rrogat poshtë 20 milion rial, ata duhet të paguajnë 50 milion si parapagim dhe 15 milion për qira mujore, dhe një gjë e tillë është e pamundur për ta.”
Ky anëtar i komisionit të parlamentit për energjinë theksoi, “Ka shumë mënyra për t’i kontrolluar çmimet e strehimit, por qeveria e ka braktisur mbikëqyrjen, dhe për këtë arsye çmimet, sidomos çmimet e strehimit, po rriten si një flluskë.”