Saturday, July 27, 2024

Rrënja e Rregullave dhe Veprimeve më të Fundit Mizogjiniste të Regjimit Iranian

Vitet e fundit, të drejtat e grave janë bërë sfida morale kryesore në mbarë globin. Brutaliteti i shkaktuar ndaj kaq shumë grave në mbarë botën është një njollë e errët dhe e pashlyeshme për shoqëritë e qytetëruara. Por vuajtja e grave iraniane nën regjimin mizogjinist që sundon atë vend është e paimagjinueshme.

Të drejtat e grave dhe roli i tyre në shoqëri janë një matës për të vlerësuar shkallën e demokracisë së një vendi. Gjendja e mjerueshme e grave nën regjimin e mullahëve është një dëshmi e situatës së tmerrshme të përgjithshme të të drejtave të njeriut në Iran.

Ndryshe nga vendet e tjera, në Iran, shteti inkurajon, legalizon dhe praktikon mizogjininë. Në përpjekjen e tij më të fundit mizogjiniste, regjimi iranian ka nisur një fushatë represive për të “nxitur virtytin dhe ndaluar veset”.

Këshilli Suprem i Sigurimit i regjimit e miratoi këtë plan, të quajtur “ndershmëri dhe hixhab” në vitin 2005. Mullahët e kishin zbatuar këtë masë shtypëse për vite me rradhë dhe iu desh ta ndalonin pasi kishin frikë nga reagimet e forta dhe të gjera publike. Që kur plani është miratuar, e ashtuquajtura “patrullë udhëheqëse” e “policisë së moralit” të ligë të regjimit ka arrestuar dhe sulmuar dhjetëra gra iraniane me pretekstin e “keqmbulimit”.

Më 26 qershor, zëvendësprokurori në Mashhad i dërgoi një letër guvernatorit të këtij qyteti, duke kërkuar që grave të pambuluara t’u ndalohet udhëtimi në trenat e metrosë.

Këto masa janë krahas faktit që banditët e regjimit sulmojnë gratë me acid, i përplasin me makina dhe i spërkasin me lëndë lotsjellëse, si herën e fundit që disa gra u përpoqën të hynin në një stadium për të parë një ndeshje futbolli në Mashhad.

Tani, regjimi mizogjinist i Iranit e ka rikthyer këtë ligj. Por pse?

Ndërsa mizogjinia është karakteristikë thelbësore e regjimit, përgjigjja qëndron në gjendjen aktuale të paqëndrueshme të shoqërisë iraniane. Protestat e vazhdueshme, me gratë iraniane në ballë, kanë tronditur zyrtarët pasi ato rrisin mundësinë e një kryengritjeje tjetër të rëndësishme, si ajo e nëntorit 2019.