Tre të burgosura politike janë transferuar nga Burgu Evin i Teheranit në Burgun Qarchak, pavarësisht raporteve që flasin për kaosin e koronavirusit atje.
Këto tre gra, të quajtura Forough Taghipour, Parasto Moeini, dhe Zahra Safaei u dërguan në Qarchak javën e shkuar.
Burgjet e Iranit janë famëkeqe për problemet kronike me higjienën, mbipopullimin, dhe mungesën e kujdesit të duhur shëndetësor. Kushtet e burgjeve janë të tilla që ua hapin lehtësisht rrugën sëmundjeve, dhe të burgosurit kanë tendencë të madhe të infektohen.
Tre gratë e burgosura ishin arrestuar më 24 shkurt 2020 dhe ishin transferuar tek Qendra e Paraburgimit e Ministrisë së Inteligjencës (Godina 209 e Burgut Evin).
Forough Taghipour, 25 vjeç, u infektua me koronavirus në burg por iu mohua e drejta të shkonte në spital për trajtim mjekësor. Nëna e saj, Nasim Jabbari, u arrestua në të njëjtën ditë, por e liruan nga burgu gjatë festave të Novruzit.
Parasto Moeini ka gjithashtu probleme me shëndetin por i është mohuar trajtimi mjekësor. Ajo vazhdon të shfaqë simptoma të disa sëmundjeve por nuk mund të marrë një diagnozë zyrtare.
Pasi këto gra u infektuan me koronavirus gjatë karantinimit në burgun Qarchak, i transferuan në Godinën 5. Kushtet sanitare gjatë kaosit të koronavirusit në këtë objekt janë përkeqësuar. Pritet që të rritet gjithnjë e më shumë probabiliteti që të burgosurat e tjera të infektohen me virusin.
Zahra Safaei ka vuajtur prapa hekurave si e burgosur politike edhe në vitin 1979. Gjithashtu është burgosur edhe në vitet 1980 për aktivizmin e saj politik. Babai i saj, një figurë e spikatur në komunitetin e biznesit në Teheran, është ekzekutuar në vitin 1982 me akuzën se mbështeste Organizatën Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK).
Në një zhvillim tjetër, një e burgosur e ndërgjegjes dhe e krishterë e konvertuar, Mary Mohammadi, është dënuar me tre muaj burg dhe 10 goditje kamxhiku. Gjyqi i saj është bërë më 14 prill 2020.
Në lajme të tjera, Sakineh Parvaneh, e cila ishte transferuar kohët e fundit në Spitalin Psikiatrik Aminabad, është transferuar në godinën e karantinës të burgut Qarchak.
Dëshmitarët kanë raportuar se, kur Znj. Parvaneh, një e burgosur politike, mbërriti në burg, fytyra e saj ishte e mavijosur dhe e ënjtur. Në vend që t’i ofrohet trajtim mjekësor, ajo po mbahet në një godinë karantine në Qarchak pa akses në kujdesin mjekësor.