Nga Mahmoud Hakamian
Disa zyrtarë të lartë amerikanë thanë të enjten se tregu global i naftës ka ofertë të mjaftueshme, gjë që do të thotë se përpjekja e tyre e mëtejshme për t’i ulur në zero eksportet e naftës së regjimit iranian nuk do t’i rrisë në mënyrë të konsiderueshme çmimet e naftës.
Brian Hook, Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Iranin dhe Këshilltar i Lartë Politike i Sekretarit të Shtetit, u tha reporterëve: “Kanë mbetur afërsisht një milion fuçi në ditë (bpd) nga eksportet e krudos iraniane, dhe në treg ka ofertë të mjaftueshme për ta lehtësuar tranzicionin e për të ruajtur stabilitetin e çmimeve.”
Komentetet e Hook erdhën vetëm pak ditë pas shpalljes së SHBA-së se do t’u jepte fund lehtësimeve të sanksioneve për vendet që blejnë naftë iraniane duke filluar më 2 maj. Kjo do të thotë se tetë vendet për të cilat u bënë lehtësime lidhur me naftën në nëntor kur SHBA rivendosi sansksionet mbi Iranin, duhet të mos blejnë më naftë iraniane, përndryshe do të ndëshkohen.
Që atëherë, çmimet e naftës janë rritur pak, por nuk pritet që kjo të jetë një gjë afatgjatë.
Asistent Sekretari i Shtetit për Burimet Energjitike, Frank Fannon, tha: “Situata e çmimeve është nën kontroll. Tani është koha të shkojmë në zero [për eksportet e naftës iraniane].”
Ai shpjegoi se tregu është “i mirë-furnizuar”, gjë që e ka nënkuptuar edhe Donald Trump, i cili ka thënë se mungesat në tregun e naftës do të kompensohen fare mirë nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Për të mos përmendur që edhe prodhimi amerikan i naftës krudo është gjithashtu i bollshëm, pasi ka arritur një shifër rekord prej 12.2 milion bpd këtë vit.
Sanksionet
Në nëntor u bënë lehtësime gjashtë-mujore lidhur me sanksionet për tetë blerësit më të mëdhenj të naftës iraniane – Kina, India, Korea e Jugut, Japonia, Taivani, Greqia, Italia, dhe Turqia – me kusht që këto vende t’i reduktonin në mënyrë të konsiderueshme blerjet nga Irani.
Taivani, Greqia, dhe Italia i kanë ulur në zero tashmë importet e naftës iraniane gjatë afatit gjashtë-mujor, ndërsa India, Korea e Jugut dhe Japonia i kanë ndalur importet tani. Por Kina, blerësja më e madhe, e ka kritikuar këtë masë.
Që të jemi të sinqertë, është e domosdoshme që SHBA të vazhdojë me këtë presion mbi Iranin dhe t’i nxisë edhe të tjerët t’i bashkohen. Regjimi Iranian është sponsori shtetëror numër një i terrorizmit dhe paratë që fiton nga shitja e naftës i përdor për të financuar grupe terroriste, programin e tij bërthamor, dhe represionin mbi popullin iranian.