Thursday, February 2, 2023

Senator Robert Torricelli: Administrata Biden Duhet t’i Mendojë Seriozisht Disa Gjëra, për sa i Përket Negociatave me Regjimin e Iranit

Më 4 shkurt, një gjykatë belge dënoi diplomatin terrorist të Iranit, Assadollah Assadi, me 20 vite burg pasi ai kishte tentuar të hidhte në erë tubimin e opozitës në 2018-ën, në Paris. Arrestimi dhe çështja e Assadi-t, sidomos mënyra se si ai i ka përdorur privilegjet e tij diplomatike për të përhapur terrorizëm në Europë, konfirmoi se Ministria e Jashtme e regjimit dhe diplomatët e saj janë të përfshirë në terrorizëm. Me fjalë të tjera, komploti me bombë i 2018-ës ekspozoi terrorizmin shtetëror të regjimit.

Me shtimin e thirrjeve nga ana e apologjetëve të regjimit drejtuar administratës së re të Shteteve të Bashkuara që të hyjë në dialog me Teheranin, ka gjithashtu një shqetësim shumë të justifikuar për faktin se bërja e lëshimeve regjimit mund të rezultojë në shtimin e veprimeve destabilizuese nga ana e mullahëve të Teheranit.

Ky shqetësim është nënvizuar nga ish Senatori demokrat Robert Torricelli, gjatë një konference të enjten, pak orë pas dënimit të Assadi-t.

Senatori Torricelli theksoi se administrata Biden “duhet t’i mendojë seriozisht disa gjëra” për sa i përket marrëdhënieve me regjimin dhe negociatave me diplomatët e regjimit, kryesisht me Ministrin e Jashtëm Mohammad Javad Zarif.

“Nëse qëllimi i administratës Biden është të diskutojë sërish me Iranin mbi marrëveshjen bërthamore. Këtu ka disa gjëra që duhen menduar seriozisht. Kush do të jetë në atë tryezë? Zarif? Agjentët e tij? Ata që mund të kenë qenë në ato fletoret e këtij komploti, për të cilët tashmë kemi informacion? Po ata njerëz që morën vendimin ta dërgonin këtë armë në Europë për të na vrarë. Duhen menduar me seriozitet disa gjëra,” tha Senator Torricelli.