Sunday, February 5, 2023

Regjimi i Iranit Shpreh Frikë nga Gjyqi i Ardhshëm i “Diplomatit Terrorist,” Assadollah Assadi

Shkruar nga Shahriar Kia

Regjimi i mullahëve ka shprehur frikë teksa afrohet data e gjyqit për diplomatin e tyre terrorist të burgosur në Belgjikë, Assadollah Assadi.

“Në takimin tim me Ambasadorin belg, nënvizova faktin që MEK [opozita Mujahedin-e Khalq] ka për qëllim ta njollosë marrëdhënien tonë me Belgjikën dhe Europën. Kjo çështje është e rëndësishme dhe urgjente për Iranin,” tha të mërkurën për agjencinë zyrtare të lajmeve ISNA Peyman Sadat, Drejtori i Përgjithshëm për Europën në Ministrinë e Jashtme të Iranit.

Sadat, i cili është një zyrtar i shtetit numër një në botë për ekzekutimet per kapita dhe për shkeljet e të drejtave të njeriut, u ankua se “të drejtat njerëzore” të Assadi-t po shpërfillen.

“Assadollah Assadi është arrestuar në një mënyrë tepër çnjerëzore. Çështja e tij ishte një nga detyrat e mia në Bruksel. Unë dhe përfaqësuesi im shkonim ta takonim çdo javë, por pas çdo vizite, atij i bëhej një ekzaminim fizik. Kështu që vizitat ndaluan.”

Ky është i njëjti regjim që kohët e fundit ka ekzekutuar kampionin iranian të mundjes Navid Afkari pasi e kishte torturuar, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare, dhe ka në historikun e tij ekzekutimin e mbi 30,000 të burgosurve politikë në 1988-ën.

Assadi, i cili u kap në flagrancë në Gjermani, pasi u kishte dorëzuar eksplozivë TATP një çifti terrorist në Belgjikë për të shpërthyer një bombë në tubimin e opozitës iraniane në Francë, do të gjykohet më 27 nëntor 2020.