Tuesday, January 31, 2023

Iran: Mbrojtja me “Pandëshkueshmëri Diplomatike” Konfirmon se Terroristi Iranian Është Drejtuar nga Regjimi

 

Shkruar nga Shahriar Kia

Gjyqi i katër terroristëve iranianë vazhdoi në Belgjikë me një seancë të dytë të enjten. Faktet bazë të çështjes ishin përmbledhur të premten e një jave më parë, kur prokurorët identifikuan eksplozivët që u ishin dhënë një çifti iraniano-belg nga diplomati Assadollah Assadi, me udhëzimet për t’i çuar ato në Francë dhe në vendin ku zhvillohej tubimi Irani i Lirë në 2018-ën. Seanca e dytë e gjyqit shërbeu për të sqaruar strategjinë e mbrojtjes që Assadi, organizatori i komplotit terrorist, ka ndërmarrë përballë akuzave.

Vetë Assadi nuk është paraqitur në sallën e gjyqit në asnjërën prej seancave. Ky duket se ka qenë një vendim i llogaritur, me qëllimin për të treguar refuzimin e tij për ta pranuar autoritetin e gjykatës. Kjo është reflektuar gjithashtu në komentet zyrtare të avokatëve të tij, të cilët nuk kanë shpenzuar shumë energji për të sfiduar përshkrimin e bërë nga prokurorët për komplotin, por janë fokusuar në theksimin në mënyrë obsesive të statusit diplomatik të Assadi-t.

Deri në arrestimin e tij më 1 korrik 2018, Assadi ka shërbyer si konsullor i tretë në ambasadën iraniane në Vienë, gjë që i jepte imunitet nga arrestimi apo ndjekja penale brenda Austrisë. Por komploti i 2018-ës është parandaluar nga një operacion që ka përfshirë disa autoritete europiane, të cilat gjurmuan lëvizjet e Assadi-t dhe mundën të kryenin arrestimin ndërkohë që ai udhëtonte në Gjermani. Më vonë ai u ekstradua në Belgjikë, pavarësisht kundërshtimeve të zyrtarëve iranianë.

Këta zyrtarë duket se kanë marrë pak a shumë të njëjtin pozicion si vetë Assadi; po ashtu edhe ekipi i tij ligjor. Ata kanë argumentuar, secili në mënyrën e vet, se imuniteti diplomatik i të pandehurit duhet të shkojë përtej kufijve të postit të tij, supozimisht të përfshijë tërësinë e Bashkimit Europian, për të mos thënë të gjithë botën. As Assadi, as mbikëqyrësi i tij në Teheran, nuk duken aspak të gatshëm ta pranojnë përfshirjen në një komplot terrorist si një rrethanë të rëndësishme që mund ta zbusë dënimin, dhe ekipi i tij ligjor e ka zyrtarizuar pozicionin e tij me një strategji që duket se ka për qëllim të sjellë lirimin e Assadi-t dhe dërgimin e tij në Iran pa vonesë apo pasoja.

Me interpretimin e tyre të gjerë e të paarsyeshëm të imunitetit diplomatik, avokatët e Assadi-t mund të thuhet se po paraqesin një doktrinë që mund të përshkruhet më mirë si “pandëshkueshmëri diplomatike.” Ata po thonë tekstualisht se një rol profesional në rrjetet diplomatike të Iranit përbën mbrojtje izoluese nga pasojat ligjore, pavarësisht se çfarë krimi mund të kryejë një individ në emër të regjimit.

Kjo gjë e përshkruan me saktësi situatën për sa i përket komplotit terrorist të 2018-ës. Prokurorët belgë kanë bërë kujdes të veçantë që të theksojnë se Assadi dhe bashkë-komplotistët e tij kanë vepruar plotësisht nën urdhrat e autoriteteve të regjimit iranian. Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), i cili e ka organizuar tubimin e marrë në shënjestër nga ai komplot, ka pretenduar publikisht se, si Lideri Suprem i regjimit Ali Khamenei, ashtu edhe Presidenti Hassan Rouhani, kanë patur gisht direkt në dhënien e urdhrave për sulme ndaj figurave opozitare jashtë kufijve të Iranit.

Nuk është e habitshme që Teherani ka refuzuar ta pranojë këtë bashkëfajësi të autoriteteve të tij më të larta. Por njëkohësisht, ai nuk është munduar shumë t’i hedhë poshtë këto lidhje. Dhe kjo nuk duket e çuditshme kur merr parasysh strategjinë e mbrojtjes të Assadi-t. Ta quash atë agjent të pabindur apo t’i mohosh lidhjet e tij me udhëheqjen e regjimit do të thotë të minosh premisën qendrore prapa pretendimeve për imunitet. Në mënyrë që ta justifikojnë mbrojtjen e tij, mbikëqyrësit e Assadi-t duhet të paktën ta pranojnë në mënyrë të nënkuptuar se veprimet e tij janë ndërmarrë me dijeninë e tyre, madje edhe nën urdhrat e tyre.

Assadi dhe mbikëqyrësit e tij kanë marrë përsipër një strategji konfuze. Por mund të argumentohet që diçka e tillë nuk është pa precedent. Kritikë seriozë të regjimit iranian mund të thonë madje se kërkesat e Teheranit për pandëshkueshmëri reflektojnë vetëm pritshmërinë që regjimi ka krijuar tashmë, pas katër dekadash marrëdhënieje me politikëbërës paqësues të Perëndimit.

Assadi është diplomati i parë iranian që ndiqet penalisht në mënyrë zyrtare për rolin e tij në veprimtari terroriste, por ai nuk është i pari që vihet nën dyshim për një rol të tillë. Pasoja më e keqe me të cilën janë përballur ata individë zakonisht është dëbimi dhe rikthimi në Iran, ku janë mirëpritur si heronj dhe i kanë futur përsëri në punë në role mbështetëse brenda infrastrukturës terroriste të regjimit. Por tani, duket pothuajse e sigurtë që një diplomat iranian i rangut të lartë do të gjendet fajtor për organizimin e një sulmi terrorist, dhe do të përballet me  një dënim deri në 20 vite burg.

E vetmja pyetje që do të mbetet në atë pikë është nëse ky do të mbetet vetëm një rast i vetëm, përjashtim nga rregulli, apo do të shënojë fundin e pandëshkueshmërisë që Teherani dhe agjentët e tij presin tashmë. Nëse ndodh kjo e fundit, atëherë regjimi iranian, siç shpresojmë, do të pendohet që është mbështetur në doktrinën e pandëshkueshmërisë diplomatike. Duke refuzuar ta mohojnë Assadi-n, mbikëqyrësit e tij vetëm sa e kanë konfirmuar atë që prokurorët belgë kanë thënë lidhur me komplotin terrorist të 2018-ës dhe statusin e tij si një operacion zyrtar i inteligjencës iraniane.

Në këto rrethana, kur Assadi të përballet me dënimin, kjo do të ngrejë pyetje serioze se çfarë hapash të mëtejshëm mund të marrë komuniteti ndërkombëtar në rrugën drejt të kërkuarit llogari për terrorizmin iranian. Çfarëdo hapash të jenë ato, një gjë është e qartë: llogaridhënia nuk mund të mbarojë tek pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë në komplotin terrorist të 2018-ës. Ajo duhet të përfshijë regjimin iranian në tërësinë e tij.