
Gjatë intervistës së tij në televizionin shtetëror më 21 shtator, Abolfazl Shekarchi, zëdhënës i lartë dhe përfaqësues kulturor i shtabit të forcave të armatosura të regjimit, i pyetur për përgjegjësitë e përbashkëta në punën e IRGC dhe ushtrisë zyrtare, tha: “Mbrojtja e kufijve ideologjikë të Republikës Islamike dhe Revolucionit Islamik nuk është vetëm detyra e të gjitha institucioneve, organeve, madje edhe e ushtrisë, por është edhe ‘misioni i natyrshëm’ i IRGC-së.”
- Massoud Rajavi, lideri i Rezistencës Iraniane, ka bërë thirrje më herët që IRGC të shpërbëhet dhe buxheti i saj të ndahet për të ndihmuar popullin iranian, veçanërisht në mesin e krizës së koronavirusit dhe shtimit të numrit të vdekjeve. Sipas Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), mbi 110,000 njerëz kanë vdekurderi të shtunën, më 26 shtator, për shkak të shpërthimit të COVID-19 dhe mosveprimit të regjimit.
Regjimi iranian e krijoi IRGC-në për të ndjekur politikat e tij luftënxitëse jashtë vendit dhe për të shtypur çdo zë disident brenda Iranit. Me pak fjalë, misioni i IRGC-së është ta mbrojë regjimin e mullahëve nga rrëzimi. Lidhur me këtë, kur njëri prej pjesëmarrësve e pyeti se ku janë këta “kufij ideologjikë” dhe se si krahasohen ata me kufijtë gjeografikë të vendit, Shekarchi tha: “IRGC ka edhe një mision të brendshëm. Duhet të përballemi me MEK-un.”
Thirrja e liderit të Rezistencës Iraniane për shpërbërjen e IRGC-së është dëshira e popullit iranian, i cili ka vuajtur nga duart e kësaj bande vrasëse.
- Rajavi, duke iu drejtuar zyrtarëve të regjimit, pati thënë: “Nëse nuk keni në plan të shtypni popullin, të ndizni luftëra e të eksportoni terrorizmin, një ushtri duhet t’ju mjaftojë. Mos ia impononi popullit të Iranit shpenzimet astronomike të IRGC-së. Shpërbëjeni IRGC-në dhe paratë që përdorni për të shpenzojini për shëndetësinë e kujdesin mjekësor, dhe paguani rrogat e infermierëve, punëtorëve, mësuesve dhe punonjësve të sektorit publik.”
IRGC dhe Lideri Suprem i regjimit, Ali Khamenei, kanë ekskluzivisht në pronësi të tyre sektorët më me ndikim e më fitimprurës të industrive, minierave, komunikimeve, bankave, e kompanive të ndërtimit të Iranit. Pasuria e tyre i tejkalon një trilion dollarë. Çdo vit, për shkak të korrupsionit të përhapur gjerë dhe vjedhjeve të regjimit të mullahëve dhe IRGC-së, dhjetëra biliona dollarë nxirren jashtë vendit.
Në nëntor 2019, IRGC i shtypi ashpër protestat madhore në Iran. Forcat e IRGC-së vranë mbi 1500 protestues në mes të ditës gjatë këtyre protestave. IRGC ka luajtur gjithashtu një rol kyç gjatë luftës Iran-Irak. Një nga krimet e IRGC-së gjatë luftës ishte dërgimi i studentëve e minorenëve në fushat e minuara për të pastruar minat. Komandantët e IRGC-së i quanin këta fëmijë të pafajshëm “ushtarë një-përdorimsh.” Gjithashtu, Forcat terroriste Quds të IRGC-së kanë përhapur kaos e terrorizëm në mbarë rajonin.
Këto fakte nënvizojnë edhe një herë nevojën që komuniteti ndërkombëtar ta mbështesë dëshirën e popullit iranian dhe ta etiketojë ndërkombëtarisht IRGC-në si një organizatë terroriste dhe të bëjë thirrje për shpërbërjen e saj.





