Saturday, July 27, 2024

Një vogëlushe me probleme zemre ndahet nga prindërit e saj të krishterë

Lydia dhe prindërit e saj të krishterë, Sam Khosravi dhe Maryam Fallahi

Vendimi i gjykatës ndan më dysh familjen e krishterë në Iran

Një gjykatë e regjimit iranian ka nxjerrë një vendim çnjerëzor për ta ndarë një vogëlushe 2-vjeçare nga prindërit e saj të krishterë pavarësisht “lidhjeve të forta emocionale” të saj. Sipas vendimit, vajzën e vogël e kanë ndarë nga prindërit dhe ia kanë dorëzuar Organizatës së Mirëqenies.

Vogëlushja 2-vjeçare me emrin Lydia ka lindur myslimane por është adoptuar nga një çift i krishterë kur ishte vetëm dhjetë javëshe.

Gjykata Rishikuese në Bushehr vendosi më 23 shtator 2020 se, meqë vogëlushja ka lindur myslimane, ajo nuk mund të adoptohet nga një çift i krishterë.

Ky vendim i gjykatës u mor pavarësisht “lidhjeve të forta emocionale” midis 2-vjeçares dhe prindërve të saj të krishterë, Maryam Fallahi dhe Sam Khosravi.

Lydia vuan nga probleme të zemrës dhe probleme gastrointestinale. Ajo do të përballej me një të ardhme të pasigurtë nëse do të dërgohej në jetimoren e Organizatës së Mirëqenies. Ka shumë pak mundësi që ajo të adoptohet nga një familje tjetër, për shkak të sëmundjes që ka.

Maryam Fallahi ka punuar për vite të tëra si infermiere në Spitalin e Zemrës në Bushehr. Vëzhguesi i Organizatës së Mirëqenies dhe Zyra Mjeko-ligjore kanë konfirmuar se ajo është kujdesur më së miri për Lydia-n gjatë dy viteve të fundit.

Ky vendim bie në kontradiktë me ligjet e regjimit klerikal.

Sipas nenit 3 të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Adoleshentëve, fëmijët që nuk kanë kujdestarë apo kanë kujdestarë të papërshtatshëm mund të adoptohen nga çdo shtetas iranian që banon në Iran. Ky nen nuk përmend asgjë për sa i përket fesë së prindërve që adoptojnë fëmijën.

Kushtetuta iraniane e njeh Krishterimin si fe. Kushtetuta sanksionon adoptimin e një fëmije nga prindër që besojnë në një prej feve të njohura nga Kushtetuta.