24 maj 2020
Departamenti amerikan i Shtetit publikoi një fletë faktesh më 22 maj lidhur me “Vrasjet dhe Veprimtaritë Terroriste Jashtë Vendit” të regjimit iranian.
Siç e ka thënë për vite të tëra Rezistenca Iraniane, ambasadat e regjimit iranian në mbarë botën janë qendra terrorizmi e spiunazhi. Regjimi mbështetet në dy shtylla, shtypja e popullit brenda vendit, dhe eksporti i terrorizmit jashtë vendit. Siç e pohon fleta e fakteve e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, “Që kur ka ardhur në pushtet në vitin 1979, regjimi iranian ka qenë i përfshirë në vrasje, komplote terroriste, dhe sulme terroriste në mbi 40 vende.”
“Fushata globale terroriste e [regjimit të] Iranit ka përfshirë 360 vrasje me shënjestra në vende të huaja, dhe sulme masive me bombë që kanë vrarë e gjymtuar qindra njerëz,” lexon fleta e fakteve.
Garda Revolucionare (IRGC) e regjimit, dega e saj jashtë-territoriale Forca Quds e IRGC-së, dhe Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) e mullahëve mbikëqyrin planifikimin dhe kryerjen e sulmeve terroriste. “Irani i ka kryer këto vrasje e sulme të tjera kryesisht përmes Forcave Qods të IRGC-së dhe Ministrisë së Inteligjencës e Sigurisë, por edhe me anë të palëve të treta e proksive si Hizballah,” lexon fleta e fakteve.
Në një pjesë tjetër të kësaj flete faktesh, Departamenti amerikan i Shtetit tregon se si regjimi iranian i përdor ambasadat e tij dhe se si i maskon terroristët e tij si diplomatë për të kryer veprimtari terroriste në Europë. “Personeli diplomatik iranian ka qenë vazhdimisht i përfshirë në vrasje jashtë vendit, siç vërtetohet nga urdhër arrestet, hetimet gjyqësore e policore, shërbimet e inteligjencës dhe raportet e dëshmitarëve. Me shtimin e hetimeve ndaj vrasësve iranianë që përdorin petkun diplomatik, Irani është treguar i gatshëm të përdorë banda kriminale, kartele droge, dhe palë të tjera të treta për të kryer vrasjet jashtë vendit.”
Tentativa e dështuar e regjimit për të shpërthyer një bombë në tubimin e përvitshëm “Free Iran” të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) në Paris në qershor 2018, tentativë e udhëhequr nga një i ashtu-quajtur “diplomat,” Assadollah Asadi, e konfirmon këtë të vërtetë.
“Asadollah Asadi, i cili ishte caktuar si diplomat iranian në Austri, ka që në 2018-ën i burgosur në Belgjikë, duke pritur gjykimin bazuar në provat që tregojnë se ka siguruar eksplozivët për të hedhur në erë një tubim disidentësh në Paris, gjë që mund të kishte vrarë dhjetëra burra, gra e fëmijë,” lexon fleta e fakteve.
Në një konferencë për shtyp më 23 tetor 2019, Drejtori i Policisë shqiptare pati shpallur zbulimin e një celule terroriste të lidhur me regjimin iranian në Shqipëri.
Gjithashtu, edhe komploti i regjimit iranian për të shpërthyer një bombë në grumbullimin e Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) në Shqipëri në vigjilje të Vitit të Ri pers (Novruz) në 2018-ën u parandalua. Më vonë, qeveria shqiptare pati përjashtuar ambasadorin e regjimit dhe zëvendësin e parë të tij si persona të padëshirueshëm për pjesëmarrjen e tyre në terrorizëm e spiunazh kundër anëtarëve të MEK në Shqipëri.
Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e NCRI-së, e ka mirëpritur dëbimin e ambasadorit të regjimit iranian dhe kreut të stacionit të Ministrisë së Inteligjencës në Shqipëri. Ajo e ka përshkruar këtë veprim të guximshëm si një hap të nevojshëm në luftimin e terrorizmit dhe diktaturës fetare që sundon Iranin, dhe një domosdoshmëri për sigurinë e vendeve europiane.