Friday, March 29, 2024

Mediat Shtetërore të Iranit: Protestat në Khuzestan Tregojnë Gjendjen Shpërthyese të Shoqërisë

Protestat në provincën Khuzestan kanë hyrë në ditën e tyre të shtatë. Me kalimin e kohës, këto protesta po bëhen gjithnjë e më intensive dhe po përhapen në qytete të tjera, duke e tmerruar regjimin. Mediat shtetërore të Iranit, më 20 korrik 2021, e reflektuan këtë frikë të tmerrshme.

Imazhi plot kriza i Khuzestanit mund të jetë imazhi më i qartë i realitetit të pakënaqësisë në shoqëri. Gjurmët e kësaj pakënaqësie çojnë në kriza si ato të strehimit, punës, etj., në pjesë të tjera të vendit,” shkruante të martën shtetërorja Vatan-e Emrooz.

Protestat në Khuzestan nisën për shkak të krizës së ujit dhe keqmenaxhimit nga ana e regjimit.

Vatan-e Emrooz pohon se “studimet tregojnë se, pavarësisht incidenteve natyrore në këtë provincë, shkaku kryesor i krizës së ujit është keqmenaxhimi.”

“Mangësitë e ujit në Khuzestan janë një shembull i qartë i keqmenaxhimit. Jo vetëm që regjimi nuk e ka shfrytëzuar vëllimin tejet të madh të lumenjve në këtë provincë, që është unik në gjithë vendin, por gjithashtu, duke ndërtuar në mënyrë irracionale diga si ajo Sivand, dhe me anë të transferimit të parregullt të ujit nga Khuzestan në provinca të tjera – gjë që nuk e ka zgjidhur problemin e ujit në ato provinca, apo problemin e ujit në Khuzestan – ka krijuar një pakënaqësi të jashtëzakonshme,” shkruante të martën e përditshmja shtetërore Etemad.

Garda Revolucionare (IRGC), e cila dominon ekonominë e Iranit, qëndron prapa ndërtimit të digave jo-shkencore për qëllime ushtarake, si dhe prapa transferimit të ujit të Iranit drejt vendeve fqinje për të fituar më shumë në mënyrë që të mund të financojë veprimtaritë e veta të paligjshme.

Ka patur dhjetëra paralajmërime nga ekspertë dhe media shtetërore për pasojat e krizës së ujit në Iran, por zyrtarët e regjimit e kanë shpërfillur gjithmonë popullin dhe kërkesat e tij.

“Khuzestan është modeli perfekt që tregon se si përfundon mospërfillja ndaj popullit. Ta shpërfillësh popullin mund të duket e lehtë në fillim, por shpejt shndërrohet në një përvojë të hidhur,” shkruan e përditshmja shtetërore Etemad.

“Ajo që ka ndodhur në Khuzestan dhe ka shkaktuar protesta të gjera është rezultat i keqmenaxhimit, dhe zyrtarët nuk mund t’i shpërfillin kërkesat legjitime të protestuesve,” vazhdon e përditshmja Etemad.