Friday, March 29, 2024

I Burgosuri Politik Iranian në Gjendje Shëndetësore Kritike Pas Grevës së Urisë

Nga Mansoureh Galestan

I burgosuri politik Sohail Arabi, i cili ka qenë në grevë urie në protestë ndaj mungesës së lehtësirave dhe trajtimit mizor nga rojtarët e Burgut të Teheranit të Madh, është transferuar në spital në gjendje kritike.

Arabi, fotograf, bloger dhe aktivist i të drejtave civile, u arrestua nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të regjimit në 2013-ën dhe është dënuar me vdekje me akuzën e shpikur për “fyerje ndaj profetit.” Në 2015-ën, dënimi i tij u reduktua në burgim.

Burgu i Teheranti të Madh është një prej burgjeve më famëkeqe në Iran. Rishtazi, të burgosurin politik Ali-Reza Shir-Mohammad-Ali, e goditën për vdekje me thikë në qelinë e tij të izoluar. Shir-Mohammad-Ali dhe Borzan Mohammadi, një i burgosur tjetër politik, ishin në grevë urie duke protestuar ndaj faktit që mbaheshin në godinën e të burgosurve jo-politikë dhe të rrezikshëm. Pas vdekjes së Shir-Mohammad-Ali, një zyrtar i burgut i premtoi Mohammadi-t se do të transferohej në një burg tjetër. Por raportet tregojnë se ai nuk është transferuar dhe është mbajtur në të njëjtën qeli.

Vrasja e të burgosurve politikë duke përdorur të burgosurit e rrezikshëm, lënia e tyre për të vdekur në gjendje të keqe shëndetësore dhe mospërfillja ndaj problemeve të shëndetit të tyre në mënyrë që ato të bëhen edhe më kritike, janë taktika të njohura që praktikohen në burgjet e Iranit për të eliminuar të burgosurit politikë.

Në vijim të arrestimit të protestuesve gjatë kryengritjeve mbarëkombëtare të 2018-ës në Iran, një numër i madh të burgosurish janë vrarë në burg. Zyrtarët e burgjeve kanë deklaruar se ata kanë kryer vetëvrasje por ka prova të forta se të burgosurit janë vrarë nga rojat e burgut.